E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Katër vitet e ardhshme, Shqipëria superfuqi rajonale në procesin e programimit”

28-03-2013 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha bashkëbisedon me specialistë të IT-së, për teknologjitë e reja dhe programimin
 
Teknologjitë e reja dhe programimi ishte dje temë kryesore e bashkëbisedimit që Kryeministri Berisha zhvilloi me punonjësit e kompanisë ikubINFO, kompania më e madhe për zhvillimet software në Shqipëri. Kompania ikubINFO ofron një zgjidhje sa më të personalizuar në shumë fusha specializimi, si Teknologjia Web, Arkitekturë Serverash, Sisteme Databazash, Inteligjencë Biznesi, Tregtim Online.
Ndër të tjera, kompania ka realizuar me sukses një numër projektesh të rëndësishme për qeverinë shqiptare: sistemi elektronik i Prokurimit; regjistri elektronik i bizneseve; sistemi elektronik i lejeve dhe licencave; deklarimi elektronik i taksave; regjistri i punonjësve të Shtetit; regjistri Kombëtar i Planifikimit të Territorit; sistemi i menaxhimit të çështjeve për agjencitë qeveritare; sistemi Informatik i Gjykatave për Menaxhimin e Çështjeve Civile dhe Penale; SIMS - Sistemi i Infrastrukturës së Menaxhimit te Shkollave; sistemi Informatik i Gjykatave për Menaxhimin e Çështjeve Civile dhe Penale, etj.
Në këtë bashkëbisedim, kryeministri Berisha vlerësoi punën e kësaj kompanie si një ndër promotorët kryesorë të zhvillimit të ICT-së në Shqipëri, si dhe u njoh më nga afër me propozimet, kritikat dhe objeksionet e tyre, me qëllim që në katër vitet që vijnë qeveria të përmbushë objektivin e saj, shndërrimin e Shqipërisë në një superfuqi rajonale në procesin e programimit.
Gjithashtu, një tjetër objektiv i qeverisë për katër vitet që vijnë është edhe m-Albania. “Po punojmë shumë që shërbimet e administratës të jenë tërësisht dixhitale dhe që qytetarit t’i ofrohen të gjitha shërbimet në celularin apo kompjuterin e tij. M-Albania do të jetë objektivi i katër viteve që vijnë”, tha kryeministri.
Kryeministri Berisha, gjatë bashkëbisedimit me specialistët e ikubINFO, u shpreh se do t’u krijojë këtyre kompanive të gjitha lehtësirat e nevojshme fiskale.
“Qeveria është e gatshme të nisë së bashku me ikub dhe kompani të tjera zhvillimin e Tirana Hightech Park. Tirana Hightech Park do të jetë një territor me regjim fiskal tërësisht tjetër, për të mos thënë krejtësisht simbolik, një territor në të cilin do të bëhet gjithçka për të ndërtuar infrastrukturën më moderne”, tha Berisha.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›