Tatimet, bizneset që çregjistrohen për të eliminuar taksat rrezikojnë 2 vite licencën
Rregullore e re në drejtoritë tatimore për eliminimin e mashtrimeve nga bizneset e mëdha Ligji i miratuar nga qeveria shqiptare, për uljen e xhiros vjetore nga 8 në 5 milionë lekë, për të kaluar në biznese të mëdha, rrezikohet të sjellë dhe mashtrim nga ana e vetë bizneseve. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, bazuar dhe në përvojën e vitit të kaluar ku pas uljes së xhiros vjetore në 8 milionë lekë, ku shumë prej bizneseve për të shmangur taksat filluan çregjistrimin e tyre, por i rihapën sërish ato në emër të një tjetër pjesëtari të familjes. Për këtë DPT
ka hartuar një rregullore të veçantë, në të cilën janë të shkruara ligje drastike, të cilat shmangin këtë rrezik. Sipas masave të marra nga DPT, për të gjitha bizneset të cilat për këtë vit kalojnë në biznese të mëdha, do të hiqet licenca për dy vjet dhe askush nga familja nuk mund të hapë një licencë të re. Në rast se pjesëtari i familjes do të tentojë që të hapi një tjetër licencë atëherë atij do i duhet që të paguajë shumën e prapambetur nga pjesëtari i mëparshëm i familjes si dhe do të regjistrohet si një biznes i madh. Pavarësisht se në fund të vitit të shkuar Drejtori i Tatimeve, Artur Papajani ka theksuar se barra fiskale e tatimpaguesve që do të kalojnë në biznese të mëdha do të mbetet e njëjtë dhe se TVSH është një taksë konsumi që paguhet nga konsumatori, tendenca për çregjistrimin e biznesit dhe hapja e tij me një tjetër emër nga trungu familjar ka ardhur në rritje. Ndryshimi i pragut të TVSH-së sipas Papajanit pritet të formalizojë ekonominë pasi bizneset do të duhet të evidentojnë çdo shitje dhe blerje që realizojnë. Aplikimi i kësaj skeme edhe për 7500 subjekte të reja sipas Papjanit do të garantojë konkurrencën mes bizneseve. Por Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, pas miratimit të ligjit për uljen e xhiros vjetore në 8 milionë lekë, u përball me çregjistrimin e shumë bizneseve të cilat përfshiheshin nga kjo skemë, dhe më pas me rihapjen e tyre, por me një numër të ri NIPT-i, i cili nuk e klasifikonte më këtë biznes në të madh, por e cilësonte si biznes të vogël. Nisur nga kjo përvojë DPT, mendoi që të hartojë këtë rregullore, e cila është shpërndarë në të gjitha degët e tatimeve. Gjithashtu në këtë ligj ndalohet dhe transferimi i humbjes së shoqërive, pasi lejimi i mbartjes së humbjes duhet të jetë i lidhur vetëm me tatimpaguesin që e pëson humbjen. Pra nëse gjatë një periudhe tatimore pronësia e drejtpërdrejtë ose e tërthortë e kapitalit themeltar, ose të drejtave të votës të një personi ndryshon, me më shumë se 25 për qind në vlerë ose në numër, e drejta e mbartjes së humbjes në atë periudhë tatimore dhe në periudhat paraardhëse të tatimit humbet. Nëse një humbje nuk arrin të bartet për tre vite pasardhëse radhazi (pasi subjekti mund të rezultojë përsëri me humbje), ajo nuk mund të shtrihet më tej dhe të prekë rezultatin e viteve të tjera, para aplikimit të tatimit mbi fitimin.PenalizimiTashmë të gjitha të dhënat janë të dixhitalizuara dhe mund të kalojnë menjëherë nga Qendra Kombëtare e Regjistrimit në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve. Në momentin që ndonjë nga bizneset është çregjistruar ai klasifikohet me vijë të kuqe, e cila do të thotë se në rast se një tjetër person nga i njëjti trung familjar do të kërkojë që të regjistrojë biznesin e tij të ri, të dhënat e tij kalojnë menjëherë tek DPT, e cila mbasi analizon situatën dhe në rast se ky person është pjesëtar i familjes e cila ka çregjistruar biznesin nuk mund të lejohet regjistrimi i tij. Përjashtime bëjnë vetëm rastet kur biznesi i ri hapet nga personat e të njëjtës familje por që janë çregjistruar nga trungu i familjes. Ndryshimet parashikojnë edhe gjobat në rastet e mosdeklarimit të punonjësve nga ana e punëdhënësve. Kështu, çdo biznes i vogël që zbulohet se nuk ka deklaruar të punësuarit të paktën 24 orë para fillimit të punës do të gjobitet me 50 mijë lekë për secilin rast. Për të njëjtën shkelje sipas qeverisë, çdo biznes i cili paguan TVSH dhe konsiderohet i madh paguan një gjobë me vlerë 100 mijë lekë. Në të dyja rastet krahas pagesës së gjobës, punëdhënësi duhet të shlyejë të gjithë shumën e kontributeve të papaguara. Taulant Halili
Last Updated on E Merkure, 13 Janar 2010 22:43