Lëvizja pa viza, gjatë fundjavës fluks në dogana
Afrimi i festave të fundvitit ka shënuar një rritje të emigrantëve që po largohen jashtë vëndit për t’i festuar ato në një nga vendet e zonës Shengen. Fundjava ka shënuar rritje të numrit të personave që kërkojnë të lëvizin drejt Greqisë nga pika kufitare e Kapshticës. Megjithëse pala shqiptare punon me 10 sportele, radhë të shumta vërehen në zonën neutrale. Vetëm gjatë kësaj fundjave, numri i shqiptarëve që që udhëtojnë me pasaportë biometrike dhe pa vizë, në drejtim të Greqisë ka arritur mbi 1700 persona dhe 450 mjete. Ndërsa vetëm të djelën numri i tyre ka qenë mbi 550. Sipas autoriteteve të policisë kufitare, pala greke ka kthyer 25 persona që udhëtonin me pasaportë biometrike, për shkak të problemeve ligjore që kanë pasur me shtetin grek, i cili u ka ndaluar për një periudhë disavjeçare hyrjen në hapësirën Shengen. Ndërkohë që vetëm një person është kthyer pasi ka pasur një vlerë monetare të pamjaftueshme, me vete, në krahasim me periudhën që do të qëndronte. Ndërsa mësohet se në 24 orët e fundit kanë hyrë nga kjo doganë 3400 shqiptarë me 850 mjete, të cilët kanë vendosur që t’i kalojnë pushimet në Shqipëri. Pavarësisht fluksit të lëvizjes në të dyja anët e kufirit, situata ka qenë normale dhe nuk janë vërejtur vonesa dhe radhë. Nga ana e doganës shqiptare punohet me 4 sportele në hyrje dhe 3 të tillë në dalje, ndërsa pala greke punon me 3 sportele në dalje dhe 2 në hyrje,duke bërë të mundur përpunimin e dokumentacionit të shtetasve dhe të mjeteve vetëm në pak minuta.