Qeveria fton investitorë arabë në fushën e energjisë së rionovueshme
Tiranë, 14 Janar NOA - Kryeministri Sali Berisha
priti sot Drejtorin e Përgjithshëm të kompanisë MASDAR, pjesë e grupit
financiar MASDAR nga Abu Dabi, Joachim Nell. Interesi i kësaj kompanie të madhe
të energjisë së rinovueshme ishte investimi në Shqipëri në prodhimin e
energjisë diellore.
Nell përgëzoi Kryeministrin për sukseset e
Shqipërisë në këto vitet e fundit, si dhe për klimën atraktive për biznesin, të
krijuar në Shqipëri, veçanërisht në fushën e prodhimit të energjisë.
Ai theksoi se grupi i madh financiar nga
Emiratet e Bashkuara, krahas impiantit MASDAR PV në Gjermani, ka interes të
zgjerohet edhe në Shqipëri, kjo në përputhje me synimin e qeverisë shqiptare
për ta kthyer vendin në një qendër energjetike në rajon dhe në Europë.
Kontributi i qeverisë shqiptare në mbrojtjen e
ambientit, - tha z. Nell - konsiston dhe në zgjerimin e burimeve të prodhimit
të energjisë së rinovueshme.
Berisha e falënderoi zotin Nell për interesin
dhe planet e kompanisë që ai përfaqëson për të investuar në Shqipëri dhe i
garantoi mbështetjen e qeverisë së tij në suksesin e projektit që do të
realizojë.
Kryeministri, pasi e njohu më gjerë me
objektivat e reformave në fushën e energjisë së rionovueshme, e ftoi grupin
financiar MASDAR, me qendër në Abu Dabi, të shtrihet edhe në financimin e
projekteve ekzistuese në fushën e energjisë, si dhe në ato të ardhme.
r.b/NOA