Qeveria gati hapjen e tregut të energjisë: KESH shet direkt të konsumatorët
Një projektligj i ri për energjinë, i cili në themel ka liberalizimin e tregut të energjisë, pritet t’i heqë Operatorit të Shpërndarjes CEZ një xhiro vjetore rreth 50 milionë eurosh, e cila pritet të shpërndahet në operatorët e tjerë të tregut. Ministria e Ekonomisë njoftoi këto ditë se projektligji i ri për hapjen e tregut të energjisë është gati. Me këtë projektligj energjia e prodhuar nga HEC-et ekzistuese me kosto të ulur dhe kapital 100 për qind shtetëror do të shkojë për furnizimin e konsumatorit familjar dhe bizneseve të vogla dhe të mesme. Ministria e Ekonomisë kërkon që këto ndryshime duhen bërë shpejt, në mënyrë që të gjithë operatorët e tregut të jenë të përgatitur për të operuar normalisht në vitin 2012 dhe ERE të ketë mundësi të marrë në konsideratë këto ndryshime, në përcaktimin e çmimeve dhe tarifave për sektorin e energjisë elektrike për vitin 2012. Me këtë ligj disa industri të rënda dhe konsumatorë të tjerë të mëdhenj të energjisë mund të blenë në mënyrë të pavarur energjinë nga KESh ose Operatori i Transmetimit, duke shmangur CEZ-in. Në fakt, premtimin për të liberalizuar tregun e energjisë elektrike e pat dhënë i Ilir Meta në kohën kur drejtoi Ministrinë e Ekonomisë. Edhe ata pak klientë të kualifikuar, të cilët vepronin në treg përpara një viti, janë kthyer në klientë tariforë, që furnizohen nga ÇEZ Shpërndarje sh.a. me energjinë elektrike të prodhuar apo të siguruar nga KESh sh.a. Kërkesa e ÇEZ Shpërndarje sh.a. për energji elektrike për këtë vit, për këtë kategori konsumatorësh, parashikohet të jetë rreth 800 000 000 kwh ose rreth 15% e kërkesës vjetore të kërkuar nga KESh sh.a., pra një rritje mjaft e konsiderueshme.