E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Work and Study”,sfida e punësimit të të rinjve

“Work and Study”, është panairi i cili u çel në Pallatin e Kongresve e që po zhvillohet në kuadrin e Javës Evropiane të Ndërmarrjeve të Vogla e të Mesme.
Panairi është iniciativë e promovuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Ndërmarrjeve dhe Industrive të Komisionit Evropian dhe organizohet nga Dhoma e Tregtisë së Tiranës, në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës dhe Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta.
“Punësimi, aftësia dhe zhvillimi janë qëllimi kryesor i këtij panairi. Punësimi i të rinjve është një sfidë, me të cilën duhet të përballemi dhe për këtë Dhoma e Tregtisë ofron gjithë mbështetjen e nevojshme institucioneve përkatëse, të cilat duhet të bashkojnë fuqitë e tyre”, tha kryetari i Dhomës së Tregtisë, Nikolin Jaka.
Ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Etore Sekui, tha se Bashkimi Evropian ka lëvruar 2.2 milion euro, nga paratë e mbledhura prej taksapaguesit europianë, për të promovuar dhe fuqizuar më tej politikat e Qeverisë shqiptare në lidhje me ndërmarrjet e mesme dhe të vogla.
“Në 2010-ën, SME-të regjistruan një progres, si rrjedhojë e reformave rregullatore, të cilat duhet të vijojnë më tej, duke u bazuar në shtetin ligjor, garantimin e të drejtave të pronësisë, përmirësimin e zbatimit të kontratave, përmirësimin e produkteve të importuara si dhe përmirësimin e kapitalit njerëzor dhe infrastructures”, tha Sekui.
Ministri i Punës, Spiro Ksera, ai i Ekonomisë, Nasip Naço dhe zv/ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Nora Malaj, firmosën marrëveshjen tre paleshe për "Strategjitë e të mësuarit për funksionimin e sipërmarrjeve".

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›