Tetori Gjerman, panair për energjinë e rinovueshme
Ekspozita e DENA-s, Agjencisë Gjermane për Energjinë (Deutsche Energie- Agentur), është një udhëtim në botën e re të energjisë së rinovueshme - e njohur ndryshe edhe si “energjia për të sotmen dhe të ardhmen”. Ajo vjen në Tiranë në kuadër të Tetorit Gjerman 2011, që ka moton ”Klimë - Energji - Ndryshim.” “Kjo ekspozitë është interesante pasi tregon në radhë të parë se çfarë është energjia e rinovueshme dhe se cilat janë burimet e saj. Njëherazi ajo tregon shembuj konkretë sesi gjenerohet dhe përdoret energjia nga burime të rinovueshme, pra që nuk mbarojnë. Kështu kemi energji që përftohet nga dielli dhe teknologji të ndryshme për të patur prej saj rrymë elektrike. Kemi energji nga era, nga uji dhe nga nxehtësia në thellësi të tokës. Ekspozita tregon në detaje se çfarë është tanimë e realizueshme nga pikëpamja teknologjike dhe çfarë mund të jetë e aplikueshme për Shqipërinë". Shqipëria ka një start të mirë në këtë drejtim, pasi më shume se 90% e energjisë së saj prodhohet nga burimet hidrike, pra të rinovueshme përmes proceseve natyrore. Por potencialet e saj në përdorimin e burimeve të tjera të rinovueshme të energjisë mbeten ende pothuajse të pashfrytëzuara. Ndryshe ndodh në Gjermani. Kushdo që udhëton në territorin e saj me automjet apo tren, sheh shumë panele diellore mbi çatitë e shtëpive apo tarracat e godinave, gjeneratorë që përftojnë energji nga era, impiante për shfrytëzimin e nxehtësisë që ka toka në thellësitë e saj. Por kjo, thotë z. Schindler, është vetëm “maja e ajsbergut”. “Pas ngjarjeve në Fukushima të Japonisë, Qeveria Federale Gjermane vendosi të mbyllë të gjitha centralet bërthamore deri në vitin 2022. Kështu që burimet e rinovueshme të energjisë do të luajnë një rol shumë më të madh në të ardhmen, bashkë me përdorimin efikas të energjisë. Kompanitë gjermane zotërojnë rreth 60% të tregut botëror në fushën e energjive të rinovueshme. Kjo është një fushë që do të rritet në të ardhmen: energjia është e domosdoshme për funksionimin e shoqërive dhe ekonomive moderne. Ne mendojmë që energjia do të jetë një nga çështjet kryesore të shek. XXI për të gjitha vendet e botës, përfshirë këtu edhe Gjermaninë dhe Shqipërinë”, vë në dukje z. Schindler. Energjia e rinovueshme sjell zbutjen e ndryshimeve klimatike. Ngrohja globale e shkaktuar nga gazrat me efekt serrë mbetet një nga rreziqet më të mëdha për njerëzimin në shekullin që po jetojmë. Kjo pasi aftësia e atmosferës për të thithur ndotje pa shkaktuar asnjë efekt të rrezikshëm tanimë është konsumuar prej kohësh.