Qeveria gjermane, Ok ndihmës për Greqinë
Pas vendimit të BR-së për t’i dhënë Greqisë paketën e ndihmës financiare, edhe kabineti qeveritar gjerman e ka aprovuar një masë të tillë. Tani duhet vetëm miratimi i Parlamentit, që pritet të ndodhë këtë javë, në mënyrë që të kalojnë në shumën e përgjithshme të kredisë 22.4 miliardë eurot që i takojnë Gjermanisë për të paguar një periudhë 3-vjeçare. Në Gjermani, ndërkohë një hap i tillë nuk është pritur aspak mirë nga njerëzit që i janë kundërvënë idesë që në fillim. Ndërkaq, pas vendimit të marrë të dielën nga FMN-ja dhe BE-ja tregjet financiare kanë reaguar menjëherë. Sipas Kancelares Merkel, Gjermania vendosi ta përkrahë variantin e kredisë, duke u nisur nga interesi i vet personal. “Ishte e vetmja mënyrë për të siguruar stabilitetin e euros”, ka deklaruar Kancelarja. “Arsyeja e një hapi të tillë ishte sepse bëhet fjalë për hapin e fundit në këtë drejtim dhe se tashmë çdo problem me Greqinë kërcënon në mënyrë të vazhdueshme dhe shumë serioze stabilitetin e euros”, deklaroi Kancelarja në një konferencë për shtyp. Në fakt, Gjermania është edhe vendi që do të japë pjesën më të madhe të kredisë. Ndërkohë, pyetja që kanë investitorët ka të bëjë me mjaftueshmërinë e kësaj shume, pra të paketës financiare në lidhje me zgjidhjen e problemit, duke qenë se Greqia ka një problem shumë të madh me buxhetin që do të reflektohet mjaft shpejt edhe në rritjen ekonomike. Sipas marrëveshjes, pjesa e parë e kredisë do të lëvrohet para datës 19 maj, data e pagesës së ardhshme të borxhit grek. FMN-ja pritet që të aprovojë pjesën e saj të paketës këtë javë. Por, pavarësisht rënies dakord për këtë paketë, tregjet nuk kanë pasur ndonjë përmirësim të dukshëm. Sipas specialistëve, do të duhet kohë që tregjet të rifitojnë besimin dhe sigurinë, që më në fund situata në Greqi ka nisur të ndryshojë dhe shteti nuk është më në prag të falimentimit. Madje, disa kanë vënë në dyshim edhe aftësinë e qeverisë për të zbatuar të gjitha reduktimet e shpenzimeve që ka premtuar të bëjë. Për sa i përket shifrës së paketës, fillimisht ideja ishte për një shumë më të ulët, rreth 50 miliardë euro, por më pas u vendos për një shumë tepër më të madhe. Megjithatë, sipas socialistëve të ekonomisë, gjatë kohës që vendet prisnin vendimin e Gjermanisë dëmi në Greqi është rritur shumë dhe se mjaft krerë shtetesh thuajse humbën durimin me Merkelin dhe zvarritjen e çështjes. Një tjetër reagim është ai i krijimit të një sistemi të vërtetë kontrolli, në mënyrë që asnjë vend të mos veprojë me kokën e vet dhe të rrezikojë gjithë sistemin. Ndërkohë, sipas planit që ka bërë Greqia për të tretur kredinë, ajo do të përdorë menjëherë 10 miliardë dollarë për të fuqizuar bankat e saj. Vendi ndërkohë do të jetë në një gjendje recesioni për një periudhë 3-vjeçare, e cila do të reduktojë ndjeshëm edhe dhëniet e kredive dhe të gjitha shërbimet e tjera bankare, të cilat kanë të bëjnë me lëvrimin e shumave të mëdha të parave. Në këmbim të paketës së ndihmës, qeveria ka shpallur një sërë masash të tjera që reduktojnë edhe më shpenzimet publike në vijim të masave që mori disa javë më parë, të cilat u pritën me protesta në të gjithë vendin. Kryeministri Papandreu tha se paketa e shpëtimit nënkupton sakrifica shumë të mëdha nga të gjithë në Greqi. Ekonomia greke vazhdon të jetë në një gjendje të thellë recesioni. Aktualisht, 115% e Prodhimit Kombëtar Bruto do të shtohet në shifrën 149% deri në vitin 2012 para se të fillojë të bjerë. Plani i shkurtimeve të shpenzimeve pritet që të përfitojë rreth 30 miliardë euro për të shlyer borxhet gjatë 3 viteve të ardhshme.
#