Kryeministri Berisha njihet me dy projekte të tjera të huaja, në fushën e energjetikës
Investimet e kompanive të ndryshme të huaja në fushën e energjetikës ka qenë edhe sot tema kryesore e disa prej takimeve që kryeministri Berisha ka pasur sot në mesditë, në zyrën e tij pranë Këshillit të Ministrave.
Përfaqësues të kompanisë italiane “Italgest” i kanë prezantuar Kryeministrit projektin për ndërtimin e një impianti të madh për prodhimin e energjisë nga era, në zonën e Kryevidhit (afër Durrësit). Një impiant ky që parashikohet të ketë kapacitet prej 150 megavat dhe që kap vlerën e investimit në rreth 200 milionë euro. Kryeministri Berisha, pasi është njohur deri në detaje me këtë projekt e pasi u ka prezantuar përfaqësuesve të kompanisë situatën ekonomike dhe klimën e biznesit në Shqipëri, ka siguruar mbështetjen e qeverisë për suksesin e këtij projekti.
Po sot në mesditë, kryeministri Berisha ka pritur edhe përfaqësues të kompanisë internacionale “Naanovo”, të cilët gjithashtu kanë prezantuar projektet e tyre për investime në fushën e energjetikës, në Shqipëri. Z. Tony Fiddy, pasi përgëzoi kryeministrin për reformat e ndërmarra dhe klimën tërheqëse të biznesit në Shqipëri, shprehu dëshirën e madhe që kompania e tij ka për të investuar në dy projekte të mëdha.
Projekti i parë që z. Fiddy i prezantoi kryeministrit Berisha ka të bëjë me prodhimin e energjisë nëpërmjet diellit, duke ngritur një impiant diellor në zonën e kënetës, pranë Durrësit.
Projekti i dytë është i lidhur me përpunimin e mbetjeve të ngurta nëpërmjet djegies dhe përpunimin e energjisë gjatë këtij procesi. Sasi e energjisë së prodhuar nga ky impiant përpunimi mbetjesh arrin në 100 megavat.
Kryeministri Berisha, pasi e falënderoi z. Fiddy për zgjedhjen e Shqipërisë si vend të përshtatshëm për këto lloj investimesh, i siguroi se qeveria e tij do të japë gjithë mbështetjen e duhur pasi këto projekte do të vlerësohen si pozitive nga ministritë e linjës.