E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Berisha: Të ardhurat e buxhetit në 2 vite, 1.2 miliardë dollarë më shumë se në vitin më kulmor të qeverisjes së mëparshme

- Viti 2008, viti i investimeve të mëdha dhe zgjerimit të bumit ekonomik
 
Në mbledhjen e sotme të qeverisë Kryeministri Berisha e vuri theksin në rritjen e ndjeshme të të  ardhurave në buxhetin e shtetit si pasojë e luftës kundër korrupsionit.

Gjatë diskutimit të projektbuxhetit për vitin 2008, Kryeministri Berisha tha se ky buxhet është sinteza më e plotë  jo vetëm e përpjekjeve të qeverisë në këto dy vite, por edhe e përballjes më të fuqishme dhe vullnetit të palëkundur kundër fenomeneve të korrupsionit në vend. Kryeministri theksoi se falë luftës ndaj korrupsionit të ardhurat në buxhet dy vitet e fundit janë rritur me 1.2 miliardë dollarë, ndërsa nënvizoi se vetëm investimet e këtij viti janë 3.3 herë më të mëdha se viti më kulmor i qeverisë së mëparshme. Gjithashtu Kryeministri u shpreh se vetëm investimet e këtij viti janë të barabarta me investimet e katër viteve të qeverisjes së mëparshme. 

“Ne sot vijmë me këtë buxhet për të informuar shqiptarët se të ardhurat këto dy vite krahasuar me vitet e mëparshme, ngjitur me to, jo të largëta, janë 1.2 miliardë dollarë më shumë. Të gjitha këto janë realizuar, pavarësisht uljes më të mëdha të taksave që kemi bërë që shënojnë edhe uljen më të madhe në Europë. E gjithë kjo është realizuar në sajë të luftës kundër korrupsionit, sepse më parë paratë ndaheshin midis abuzuesve, kurse tani vijnë në arkën e publikut, në portofolin e dytë të qytetarëve”, deklaroi Kryeministri Berisha.

Kryeministri vlerësoi se këto të ardhura janë përdorur për rritjen e pagave në arsim dhe shëndetësi si dhe për shtimin e buxhetit për mbrojtjen me qëllim arritjen e standardeve të kërkuara për anëtarësimin në NATO. 

“Arsimi gjatë këtyre viteve pëson një rritje prej 82 %, ndërsa shëndetësia një rritje prej 61 %. Dua të informoj qytetarët se mesatarja e rritjes së rrogave në dy vite është 43 %.  Kemi rritur me 2.1 herë të ardhurat për mbrojtjen në mënyrë që të kapim standardet e kërkuara nga NATO”, tha Kryeministri.

Duke u ndalur në investimet e parashikuara në buxhetin e vitit 2008, Kryeministri veçoi shumën prej 1.2 miliardë dollarë që do të shkojë për investime në infrastrukturë, kryesisht për ndërtimin e rrugëve, ujësjellësve, kanalizimeve dhe rrugëve dytësore.

Kryeministri Berisha tha se investimet në infrastrukturë janë rritur mbi tre herë duke kaluar nga 2.4 në 6.8 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto.  

Gjithashtu Kryeministri informoi se në fund të këtij viti do të nisë rruga Kardhiq-Delvinë, rruga Levan-Tepelenë, ndërsa theksoi se Ministria e Transporteve do të studiojë dhe projektojë edhe aksin qendror të jugut. Kryeministri nënvizoi se në buxhetin e vitit 2008 është parashikuar nisja e rrugës së re Korçë-Qafë Thanë, rruga e Arbrit dhe autostrada Shkodër-Hani i Hotit.

Më tej Kryeministri Berisha e cilësoi vitin 2007 si vitin e një bumi ekonomik, ndërsa u shpreh se viti që vjen ky bum ekonomik do të marrë përmasa më të mëdha.
 
Në këtë kontekst Kryeministri theksoi se Shqipëria ka bërë një shkëputje të madhe ekonomike.


Më poshtë vijon fjala e plotë e Kryeministrit Berisha:

“Sot është një ditë shumë  e veçantë për këtë qeverisje, një ditë që kurorëzon përpjekjen tonë të madhe 2 vjeçare në rrugën e reformave. Ky buxhet  që ne diskutojmë është sinteza më e plotë e përpjekjeve të qeverisë në këto dy vite, por do të thosha e përballjes më të fuqishme me korrupsionin në këtë vend. Ne sot vijmë me këtë buxhet për të informuar shqiptarët se të ardhurat këto dy vite krahasuar me vitet e mëparshme, ngjitur me to, jo të largëta, janë 1.2 miliardë dollarë më shumë. Të gjitha këto janë realizuar pavarësisht uljes më të madhe të taksave në Europë. Tetë vite me radhë kur ne ishim në opozitë ka qëndruar si saç mbi kokën e shqiptarëve fakti se qeveria dyfishoi nivelin e taksave dhe i shtriu ato në të gjithë zërat, por nuk voli dot kurrë më shumë se sa ç`kemi vjelur ne me gjysmën e nivelit të taksave dhe me gjysmën e mallrave të tatuara. Shkaku i kësaj ishte korrupsioni.

Gazetarët më kanë dëgjuar me dhjetëra herë të flas në parlament për qindra milionë lekë humbje nga të ardhurat dhe evitoja miliardat sepse mund të ishte e pabesueshme, por në fakt janë 1.2 miliardë dollarë të ardhura më shumë të mbledhura në dy vjet, pavarësisht se kemi bërë uljen më drastike të taksave. Vetëm investimet e këtij viti janë 3.3 herë më të mëdha se viti më kulmor i qeverisë së mëparshme. Investimet e këtij viti janë të barabarta me investimet në katër vite të qeverisjes së mëparshme. Kjo realizohet në një kohë kur kemi ulur taksat në mënyrën më drastike. Vetëm ulja e taksave arrin në proporcionet mbi 3 % të GDP-së. 

Arsimi gjatë këtyre viteve pëson një rritje prej 82 %, ndërsa shëndetësia një rritje prej 61 %. Dua të informoj qytetarët se mesatarja e rritjes së rrogave në dy vite është 43 %.  Kemi rritur me 2.1 herë të ardhurat për mbrojtjen në mënyrë që të kapim standardet e kërkuara nga NATO.

Investimet në infrastrukturë janë rritur mbi tre herë , kanë qenë 2.4 janë 6.8 % e GDP-së. Në infrastrukturë këtë vit do të investohen 1.2 miliardë dollarë duke përjashtuar këtu investimet në shkolla në spitale ky është thjeshtë buxheti i rrugëve ujësjellësve kanalizime. Falënderoj me shumë respekt administratën  doganore , administratën tatimore, biznesmenët dhe investitorët shqiptarë, Ministrinë e Financave, për këto zhvillime që unë i konsideroj jashtëzakonisht pozitive. Në mënyrë absolute nuk janë të parat paratë, e para është dëshmia e vullnetit në luftën kundër korrupsionit.

E gjithë kjo është realizuar në sajë të luftës kundër korrupsionit, sepse më parë paratë ndaheshin midis abuzuesve, kurse tani vijnë në arkën e publikut në portofolin e dytë të qytetarëve. I japim mundësi zbatimit të projekteve të mëdha në katër anët e vendit. Ne do të përfundojmë brenda vitit rrugën e bregut, vitin që vjen rruga do të shkojë në Sarandë, nuk ecim me 10 km. Në fund të këtij viti do të nisim rrugën Kardhiq-Delvinë , rrugën Levan-Tepelenë, por në mënyrë absolute Ministria ka marrë porosi të studiojë dhe projektojë edhe aksin qendror të jugut. Ne kemi vendosur në tender dhe nisim rrugën e re Korçë-Qafë Thanë së shpejti mbyllet tenderi. Ne kemi vendosur tenderin dhe nisim rrugën e Arbrit, fillimisht në segmentin e saj Peshkopi Bulqizë; fillon autostrada Shkodër-Hani i Hotit, por nuk janë vetëm këto vepra të mëdha .


Një shumë e madhe do t`u kushtohet rrugëve dytësore. Rezultati i këtyre realizimeve i besimit të madh të krijuar në performancën e institucioneve të vendit bëri që BB jo vetëm të shqyrtojë projektin e rrugëve dytësore me një kredi projekt që kap një vlerë prej 400 milionë, por që në totalin e saj mund të shkojë në 4 miliardë për ta bërë shqipërinë një vend me zhvillim të qëndrueshëm rural, me rrugë normale për të bërë që shqiptarët të shfrytëzojnë të gjitha pasuritë e tyre projekt që do të fillojë në zonën bujqësore por përparësi më të madhe do të kenë zonat turistike. Ne do bëjmë çmos që çdo qytet i madh të ketë akses në zonën e tij turistike që gjirokastriti të ngjitet në Çajup, që kuksiani të mund të shkojë në Shishtavec, shkodrani në Theth, korçari në Voskopojë dhe këto do t`i përparësojmë sepse ky është vetëm një stacion në performancën tonë.

 Kam bindjen më të thellë pavarësisht nga modestia e parashikimit të drejtuesve të financave se ky vit është vit bumi dhe viti që vjen do të ketë një bum edhe më të madh.
Treguesit aktualë të ekonomisë shqiptare, janë të kënaqshme. 46 % janë rritur të ardhurat nga ndërtimi ndërsa akoma nuk kanë hyrë në fuqi masat anti-informalitet. Është e vërtetë që u ndërtua një qëndrim shumë i gabuar për qendrën e Tiranës nga të tjerë,  por nëse shikojmë tek Unaza e Re mund të shohim se një Tiranë e dytë po ndërtohet atje. Në të gjitha zonat jashtë zonës së verdhë të Tiranës ka një bum ndërtimi,  vëllimi i të cilit është rritur me 46 %.

Janë rritur me 28 %  eksportet dhe Shqipëria ka tregues dyshifror një rritje që ka ardhur vetëm nga mundi para djersa dhe puna e gjithanshme. Rritja e turizmit ka shkuar në 34 %. Vetëm në  muajin gusht treguesi i shitjeve ka kapur shifrat më të larta në këtë sektor mbi 54 %. Ata që kanë sytë dhe duan të shikojnë Shqipëria ka bërë një shkëputje të madhe. Depozitat e qytetarëve janë rritur me 25 %, ndërsa krediti është trefishuar për ekonominë në 2 vite. Ka një sektor që kontribuon me 22-25 % në GDP dhe kjo është bujqësia. Eksportet në këtë sektor janë rritur me 15 % dhe po kaq janë pakësuar importet pikërisht në vitin që u hoqën tarifat doganore me BE.

Një rritje më të madhe do të kapë ky buxhet që u përgjigjet të gjitha kërkesave më ambicioze që ne kemi. Buxheti është vetëm njëri aspekt se promotor është sektori privat pasi 90 % e GDP vjen nga sektori privat dhe nuk do të jetë e largët dita kur të shkojë 98 % kur të privatizojmë edhe ato dy ndërmarrje të mëdha që janë në proces. Ne do të jemi modest duke ia dhënë sektorit privat sepse ai është motori që tërheq zhvillimin, por ne krijojmë kushtet. Ne ndërtojmë rrugët që ai të lëvizë me shpejtësinë që duhet të lëvizë, ndërtojmë portet kanalizimet aeroportin ne i shërbejmë atij dhe qytetarëve.


Ky buxhet duhet të na shërbejë për një përpjekje shumë më të madhe për adresimin e tij më të mirë. Natyrisht që objektivi i parë janë investimet dhe në tërësi është përshtatur me përparësitë tona. Gjatë kësaj jave do t`i jepet edhe një dorë përfundimtare”.                             
    

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›