Qeveria, grup pune për të evidentuar dhe mbështetur familjet e varfra
Qerveria planifikon ngritjen e një grupi pune, për të përcaktuar saktësisht dhe me transparencë të gjitha familjet me pamundësi reale ekonomike dhe njëherazi për të dalë me propozime konkrete për ndryshimet e nevojshme ligjore dhe vendimeve ekzistuese, për zgjidhjen e situatës së tyre.
Kreu i qeverisë Sali Berisha e cilësoi këtë si një problem të dhimbshëm.
Sipas kryeministrit, qeveria në 4 vjet, ka rritur buxhetin social nga 6.3 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto që ka qenë më parë, në 9.3 për qind që është aktualisht. “Kjo është rritja më e madhe, një rritje prej 56 për qind, të cilën e kanë ndier në jetën e tyre të përditshme mbi 800 mijë familje shqiptare, e kanë ndier pensionistët në fshat, pensioni i të cilëve shkon drejt dyfishimit nga data 1 maj i këtij viti, e kanë ndier pensionistët në qytet, pensioni i të cilëve është rritur, sipas kategorive, nga 48 në 70 për qind. E kanë ndier rrogat e ulëta, etj”, tha Berisha.
Në këtë drejtim, konsiderohen një kategori qytetarësh të cilët përballen me dhimbje të thella të jetës së tyre të përditshme, në një koë kur vendi në tërësi nuk përballet me dhimbje të tilla, pasi mesatarja e gjendjes së vendit është shumë më ndryshe, të ardhurat, mundësitë dhe potencialet e vendit, janë të tjera.
Duke i’u referuar shqetësimeve të ardhura tek ai, nga familje të mbetura në mjerim ekonomik, për shkak të humbjes së kryefamiljarit, për shkak të fatkeqësive të ndryshme, kryeministri tha se, së pari, pushteti vendor, duhet t’i identifikojë me përparësi këto familje dhe nuk mund t’i lërë ato në mjerim.
Shefi i ekzekutivit u ndal edhe në skemën e ndihmës sociale që jep qeveria, ku janë mbi 100 apo 150 milionë dollarë. Por, këto familje përjashtohen nga kjo skemë.
...