Kryeministri Berisha: Nuk do të ketë asnjë lloj prokurimi tjetër, përveç atij elektronik në Shqipëri

Ky është standardi i luftës së sigurt kundër korrupsionit dhe interesi më i mirë publik i Shqipërisë
Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave, Kryeministri Berisha tërhoqi vëmendjen e pushtetit vendor dhe e të gjitha enteve kontraktuese që të zbatojnë me përpikëri vendimin për të proceduar vetëm me prokurimet elektronik. Kryeministri theksoi se viti 2009 është viti i prokurimeve elektronike, duke nënvizuar se nuk do të mund të ketë në mënyrë absolute asnjë lloj prokurimi tjetër përveç atyre elektronike, në Shqipëri.
“Ky është viti i prokurimeve elektronike. Vihen re disa tendenca në qeveritë vendore që hezitojnë për të proceduar me këtë mënyrë elektronike. Dua t’ju bëj të qartë qeveritarëve vendorë të Shqipërisë se, në mënyrë absolute, nuk do të mund të ketë asnjë lloj prokurimi tjetër përveç atyre elektronike”, u shpreh Kryeministri.
Kryeministri theksoi se prokurimet elektronike janë tashmë të përcaktuara me ligj dhe ky vendim është i pandryshueshëm. Gjithashtu, kryeministri vuri në dukej se vendim është i vlefshëm jo vetëm për qeveritë vendore, por për të gjitha entet kontraktuese, duke nisur nga Kryeministria e deri në komunën më të largët të vendit.
“Qeveria ka marrë të gjitha masat për të rritur në shkallën më maksimale kapacitetet e sistemit elektronik të prokurimeve”, u shpreh Kryeministri, ndërsa kërkoi nga ministrat që të mbledhin urgjentisht autoritetet dhe entet e tyre përgjegjëse për prokurimet dhe t’i vendosin në pozita pune.
Kryeministri siguroi se buxheti I shtetit është totalisht disponibël në këtë drejtim, ndaj nuk do të ketë formë tjetër prokurimesh përveç prokurimeve elektronike.
Kryeministri Kërkoi nga ministri I Financave që të monitorojë me rigorozitet këtë proces. Qeveria, tha ai, i jep kësaj ministrie të drejtën e rialokimeve dhe të heqjes së fondeve, sepse nuk mund të pritet pa shkak, sepse nuk bëhet procesi i prokurimit elektronik. “Ky standard është interesi më i mirë publik i Shqipërisë, është standardi i luftës së sigurt kundër korrupsionit. Le të jemi ne vendi i parë që procedon totalisht me prokurim elektronik”, nënvizoi Kryeministri.
Kryeministri Berisha kërkoi që të nxiten të gjitha strukturat përgjegjëse në zbatimin e këtij ligji. “Ministria e Financave duhet t’i ndjekë hezituesit dhe të plogështit dhe të zbardhë listën, duke argumentuar heqjen e fondeve, psh; fondet u hoqën sepse autoritetet përgjegjëse po “flenë” mbi to. Arsyeja se përse “po flenë” mbi to sigurisht është shumë e thjeshtë, sepse ai që “fle” mbi fonde mendon se do t’i fusë ato në xhepa. Por kjo nuk mund të ndodhë”, tha Kryeministri Berisha.
...