Në prag dështimi skema e qeverisë për tenderë online
Operatorë të ndryshëm s'mund të ngarkojnë dokumentet në faqen e APP-së për shkak të problemeve me internetin
TIRANË- Skema e qeverisë për aplikimin në mënyrë online për tenderë të ndryshëm ndodhet në prag të dështimit.
Kjo për faktin që faqja zyrtare e Agjencisë së Prokurimeve Publike, në të cilën kryhen procedurat online të zhvillimit të tenderëve, prej më se tre javësh nuk ia ofron këtë shërbim ose shfaq probleme të rënda për një serë shoqërish që janë të interesuara për të marrë pjesë në to.
Janë një mori biznesesh ato të cilat kanë shfaqur pakënaqësi dhe dyshime, në lidhje me pamundësinë e tyre për të dërguar pranë kësaj agjencie materialet nevojshme për të marrë pjese në një tender.
Gjendja bëhet edhe më alarmante, pasi sipas ndryshimeve që iu bënë para një viti procedurës së prokurimeve publike, dhënia e ofertave nuk mund të bëhet në mënyrë tjetër veçse nëpërmjet internetit.
Kryesisht problemi lind në momentin që ISP (Kompani që shpërndajnë internetin) duan të transferojnë të dhëna në faqen e Agjencisë së Prokurimeve Publike (ëëë.app.gov.al). Aplikimi kryhet në mënyrë të rregullt por kur vjen momenti për të bërë ngarkimin e dokumenteve gjithçka mbetet.
Dokumentet e tenderëve janë në përmasa të mëdha dhe faqja e APP-së nuk ua lejon përdoruesve të bëjnë këtë gjë. Në këtë moment shumë persona humbasin të drejtën për të aplikuar në tenderë të ndryshëm vetëm për shkak të problemeve në faqen e institucionit.
Sipas bizneseve, të cilat kanë pasur probleme me dërgimin e dokumenteve të nevojshme për parashtrimin e një oferte, dy janë arsyet që mund të shpjegojnë këtë gjendje, keqfunksionimi dhe keqadministrimi i këtij sistemi të aplikimit onlinë, ose përfshirja në afera korruptive e vetë kompanisë që i ofron shërbimin e internetit ËEB-it Agjencisë së Prokurimeve Publike.
Zhvillimi i tenderëve në mënyrë elektronike u konsiderua si një arritje e madhe nga qeveria, por një keqfunksionim i këtij sistemi elektronik, duke mos i bërë të mundur të gjitha bizneseve të ofrojnë ofertat e tyre do të bënte që të shkonin dëm të gjitha shpenzimet e bëra për ngritjen e tij.
Ky problem i sjell dëme të rënda kompanive të shumta që nuk kanë pasur mundësinë që të marrin pjesë në tenderë.
Të prekurit nga këto parregullsi dyshojnë se, kjo kompani e cila është e vetmja nëpërmjet se cilës kalojnë të gjitha të dhëna nisur nga ofertuesit drejt APP-së, bllokon me qëllim kalimin e tyre duke favorizuar kompani të caktuara, apo duke i bërë të qartë bizneseve se marrja e shërbimit të internetit nga kjo e fundit, do t'i bënte të mundur edhe pjesëmarrjen në tenderë publike.
Një tjetër problem lind nga fakti që kompania që ofron shërbimin për APP-në është edhe vetë pjesëmarrëse në shumë prokurime publike telekomunikacioni, dhe të gjithë ofertat konkurruese me të do të duhej që të kalonin aplikimin vetëm nëpërmjet kësaj kompanie.
Të kontaktuar nga "Shekulli", burime brenda Agjencisë së Prokurimeve Publike shprehen se, kjo është një çështje teknike dhe problemet kanë të bëjnë me mospërputhjen midis IP-ve të shoqërisë që i ofron shërbimin e internetit APP-së dhe kompanive të tjera nga të cilat marrin këtë shërbim bizneset e ndryshme.
Ata kanë pranuar faktin që kompanitë kryesore që ofrojnë internetin në Shqipëri janë ankuar për këtë fakt.
Problemi u raportua tek avokati i prokurimeve
TIRANË- Në lidhje me faktin se një mori shoqërish nuk mund të marrin pjesë në tenderë, si pasoje e keqfunksionimit të sistemit elektronik apo të abuzimit të kompanisë që i ofron internetin APP-së, janë vënë në dijeni, zyra në fjalë dhe Avokati i Prokurimeve, nga të cilët pritet një zgjidhje, e cila sipas bizneseve duhet t'i ofrojë të gjithëve mundësinë për të marrë pjesë në një tender publik.
Me t'u shpallur tenderi, kompanitë që janë të interesuara të marrin pjesë në të, duhet që në mënyrë elektronike nëpërmjet internetit, të dërgojnë ofertat e tyre dhe dokumentet e nevojshme të përcaktuara në ligj.
Bizneset kanë të drejtë t'i dërgojnë ato, deri në datën dhe orën e përcaktuar nga autoriteti që e zhvillon tenderin. Pas skadimit të afatit, anëtarët e Komisionit dhe Vlerësimit te Ofertave, hyjnë individualisht ne sistemin elektronik, për të bërë vlerësimin e ofertave.
Pas kryerjes së vlerësimit, bëhet shpallja e fituesit të tenderit dhe i kërkohet lidhja e kontratës. Në këtë rast shoqëria fituese duhet që të ofrojë në mënyrë fizike të gjitha ato dokumente që më parë i kishte dërguar nëpërmjet internetit.