Merr fund arratisja e trafikantes së fëmijëve
Zana Shoshari, e denoncuar nga emisioni “Fiks Fare”, kapet në Shkozë. U dënua në shtator me 4 vjet burg
Aventura e arratisjes së njërës prej trafikantëve të fëmijëve ka përfunduar ditën e djeshme. Pavarësisht se ishte dënuar që prej disa muajsh, arrestimi i saj është mundësuar vetëm dje, kur është kapur në afërsi të ish-Uzinës Traktori. Zana Shoshari fshihej në atë zonë që pas marrjes së dënimit me katër vjet burg për trafik fëmijësh. Bëhet fjalë për rastin e zbuluar nga emisioni investigativ “Fiks Fare”, kur e arrestuara, bashkë me persona të tjerë shisnin fëmijë në Greqi kundrejt shumave të ndryshme parash.
Drejtoria e Policisë së Tiranës deklaroi se kapja e 30-vjeçares Shoshari u mundësua dje rreth orës 10.00 nga Sektori i Operacioneve Speciale dhe Kërkimit. Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, me vendim të datës 17 shtator 2009, e ka dënuar atë me 4 vjet burgim, duke e akuzuar për veprën penale “Kërkim ose marrje shpërblimi për procedurat e birësimit në bashkëpunim”. Sipas policisë, ajo fshihej në një banesë private dhe kanë qenë disa informacione operative të njëpasnjëshme që kanë çuar në prangosjen e saj. Sipas dosjes penale, gruaja e arrestuar dje ka bashkëpunuar edhe me persona të tjerë. Në datën e lartpërmendur, Alfred Xhambazi, Dritan Sula, Zana Shoshari dhe Ervehe Rizo u shpallën fajtorë për veprën penale të “trafikut të fëmijëve”.
Vitet e fundit trafikimi është kthyer në një biznes mjaft fitimprurës në shtetin tonë dhe nga statistikat rezulton se numri i personave, që bie pre e këtij biznesi, është gjithmonë e në rritje. Trafikantët, duke shfrytëzuar kushtet e vështira ekonomike të familjeve rome, realizonin trafikimin e fëmijëve romë në drejtim të shtetit grek dhe i shisnin nëpër tregje, sikur të ishin kafshë pune. Trupi gjykues caktoi masën e dënimit prej 6 vjetësh burgim për të pandehurin Alfred Xhambazi, si dhe gjobë në vlerën 6 milionë lekë. Ndërsa në ngarkim të të pandehurit Dritan Sula u dha masa e dënimit 5 vjet burgim dhe një gjobë prej 300 mijë lekësh.
E njëjta vlerë gjobe iu caktua të pandehurës Zana Shoshari, por edhe 4 vjet burgim. Për të pandehurën Ervehe Rizo, togat e zeza dhanë masën e dënimit prej 5 vjetësh burgim dhe gjobën prej 6 milionë lekësh.
#