Qeveria i heq “Asg Power” lejen për linjën me Italinë
Fabiola Çela
Kompania "Asg Power" nuk do të ketë më të drejtë të ndërtojë linjën e interkonjeksionit mes Shqipërisë dhe Italisë. Qeveria ka miratuar dje projektvendimin, me anë të së cilës i heq të drejtën e ndërtimit të kësaj linje "Asg Power" dhe ia jep këtë të drejtë një tjetër kompanie. Bëhet fjalë për shoqërinë "Biopower Green Energy". Me ndërtimin e kësaj linje të re interkonjeksioni, Shqipëria mund të importojë më shumë energji nga Italia.
Projektvendimi
Kompania "Asg Power" ka marrë lejen për ndërtimin e kësaj linje më nëntor të vitit të kaluar. Po në lejen e miratuar nga qeveria përcaktohej qartë se nga data e fillimit të punës për ndërtimin e linjës është 12 muaj nga data e hyrjes në fuqi të kësaj leje. Brenda një periudhe prej 12 muajsh nga data e hyrjes në fuqi të kësaj leje, kjo shoqëri duhej të depozitonte pranë Ministrisë së Energjetikës dokumentet përkatës, që vërtetojnë mbështetjen financiare për realizimin e këtij projekti. Por deri tani kur ka kaluar periudha 12-mujore, kjo shoqëri nuk ka përmbushur asnjë nga kushtet e mësipërme, pra as nuk ka filluar punën dhe as nuk ka dorëzuar pranë ministrisë dokumentacionin, që vërteton se kjo shoqëri ka paratë e duhura për realizimin e këtij projekti. Përballë një situate të tillë, Këshilli i Ministrave vendosi dje që t'i heqë lejen e dhënë një viti më parë kësaj kompanie dhe t'ia japë një shoqërie tjetër. Linja e interkonjeksionit Kallmet/Lezhë-Zapponeta/Manfredonia do të realizohet nga kompania "Biopower Green Energy". Kjo kompani do të financojë realizimin e këtij projekti, që përveç linjës së interkonjeksionit parashikon edhe ndërtimin e një TEC-i me fuqi 140 MW në afërsi të Shëngjinit, si dhe ndërtimin e dy parqeve eolike me fuqi të instaluar 234 MW. Me ndërtimin e kësaj linje realizohet lidhja e sistemit energjetik shqiptar me atë italian nëpërmjet një kablli nënujor, që do të lidhë nënstacionin që do të ndërtohet në Kallmet/Lezhë me nënstacionin Zapponeta/Manfredonia. Gjithashtu projekti parashikon dhe ndërtimin e nënstacionit pranë termocentralit të Shëngjinit si dhe lidhjen me rrjetin 400 kV shqiptar. Në këtë mënyrë bëhet e mundur rritja e kapaciteteve transmetuese të energjisë elektrike mes Shqipërisë dhe Italisë.