E Shtunë, 31 Tetor 2026

Raporti i fundit, rritet kredia me probleme

 

Bankat që operojnë në tregun vendas nuk kanë lidhje me bankat amerikane. Në raportin e saj më të fundit, Banka e Shqipërisë i ka garantuar qytetarët vendas për sigurinë e bankave që operojnë në vend, duke theksuar se ato nuk kanë të bëjnë me krizën globale financiare. "Struktura e marrëdhënieve me institucionet financiare jorezidente sipas shteteve ku ato operojnë, pasqyron politikën e bankave për të investuar fondet e lira pranë bankës mëmë, kryesisht në vende si Greqia, Italia, Austria etj. Marrëdhëniet e bankave që operojnë në tregun shqiptar me institucionet financiare jorezidente që operojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përbëjnë vetëm 0.12 për qind të totalit të këtyre marrëdhënieve". Gjatë tremujorit të tretë të vitit janë dhënë më shumë kredi për shtëpi se muajt e mëparshëm të vitit. "Klasifikimi i kredisë sipas subjektit të kredisë (biznes e individë) dhe qëllimit të përdorimit të kredisë, dallon në tremujorin e tretë të vitit 2008 peshën më të madhe të kredisë për "investime në pasuri të paluajtshme" dhënë individëve, me 23.0 për qind të tepricës totale të kredisë, pasuar nga "investimet në blerje pajisjesh" të bizneseve, me 18.6 për qind të totalit", thuhet në raportin e BSH-së. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë edhe një herë se klientët e preferuar të bankave janë bizneset, pra bankat japin më shumë para për tregti sesa për sektorin e bujqësisë. Por rritja e nivelit të kredisë shoqërohet edhe me rritjen e kredisë me probleme, ose e thënë ndryshe rritet numri i kredive, këstet e të cilave nuk kthehen nga klientët. Por pavarësisht kësaj rritjeje, Banka e Shqipërisë thekson se niveli i kredive me probleme është brenda cakut të lejuar. Për më tepër në krahasim me vendet e tjera të rajonit, në Shqipëri niveli i kredive që nuk kthehen është më i ulët. "Tremujori i tretë i vitit 2008 shënon rritjen e portofolit të kredive me probleme të sistemit bankar me  4.3 për qind, nga rritja me 25.2 për qind në tremujorin e parë dhe 21.6 për qind në tremujorin e dytë të vitit 2008. Ndërsa treguesi që mat cilësinë e portofolit të kredive të sistemit "kredi me probleme/totali i kredive" u përmirësua, megjithëse në nivele jo të ndjeshme. Ky tregues përllogaritet në nivelin 4.1 për qind, nga 4.3 për qind në tremujorin e dytë. Krahasueshmëria e treguesit që mat cilësinë e portofolit të kredive me vendet e rajonit, tregon për një cilësi të portofolit të kredive në sistemin bankar në Shqipëri në nivele relativisht të mira krahasuar me nivelin e përgjithshëm të këtij treguesi në rajon".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›