E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përurohet rruga nacionale Librazhd-Steblevë

Kryeministri Berisha përuroi dje përfundimin e punimeve të lotit të parë të rrugës nacionale Librazhd-Steblevë, investim i buxhetit të shtetit me vlerë 77 milionë lekë. Kryeministri vlerësoi se kjo rrugë e cila qarkon të gjitha viset juglindore dhe verilindore të Shqipërisë po ndërtohet sipas parametrave bashkëkohore.

“Kjo rrugë ka nisur në dy drejtime: nga Librazhdi deri në Steblevë dhe Shupenzë. Do të nisin punimet për lotin e dytë me të njëjtën cilësi punimesh si kjo që po shihni këtu. Ndërkohë është edhe loti i tretë që do të nisë nga Tropoja në Krumë dhe pastaj drejt Kukësit dhe nga Kukësi drejt Kalasë së Dodës për t`u lidhur më pas me Peshkopinë”, - tha Kryeministri. Banorët e zonave verilindore të vendit, vlerësoi Kryeministri, të cilët jetojnë në kushte më të vështira se pjesa tjetër e kombit, do të kenë një nga rrugët më të mira të vendit. “Më pas, - tha Kryeministri, - do të nisë rikonstruksioni i rrugës Korçë-Përmet, ndërkohë që po bëhet projekti për segmentin Korçë-Tepelenë”. Kryeministri siguroi se Ministria e Transporteve ka marrë porosi që nuk duhet të ketë asnjë rrugë kombëtare nën 6 metra gjerësi. “Rrugët kombëtare do të jenë të këtyre standardeve. Këto janë zonat më të bukura të Shqipërisë. Pak kohë më parë Ministria e Turizmit shpalli Park Kombëtar një zonë prej 5 komunash në këtë zonë, përmes të cilave do të marrë një zhvillim të furishëm turizmi malor dhe ai dimëror”, - u shpreh Kryeministri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›