Qeveria italiane mbështet studentët shqiptarë
Qeveria italiane ofron mbështetje për pjesëmarrje në “Seminarin e 28 Veror Ndërkombëtar të Arkitekturës dhe të Arkeologjisë Mesjetare”, për studentët shqiptarë. Instituti për Rindërtimin e Kështjellës së Chusso-Zuço-s do të organizojë në Faedis (Udine, Itali), në datat 2-28 gusht 2010 “Seminarin e 28 Veror Ndërkombëtar të Arkitekturës dhe të Arkeologjisë Mesjetare”. Qëllimi kryesor i këtij seminari është të nxisë bashkëpunimin midis arkitektëve, arkeologëve, personave të specializuar të restaurimeve, të cilët janë të përfshirë, në teori dhe praktikë, në proceset e kërkimit dhe të ruajtjes të trashëgimisë kulturore. Parashikohet pjesëmarrja në seminar e 30 profesionistëve dhe studentëve të rinj të vitit të 4-t të studimeve në arkitekturë, inxhinieri, histori arti dhe arkeologji, të moshës nga 20 deri në 45 vjeç. Të interesuarit duhet të kenë njohuri shumë të mira të gjuhës angleze apo italiane ose gjermane. Nga 30 pjesëmarrësit, 20 do të jenë nga vendet e Evropës Lindore dhe vetëm 8 vetë do të përfitojnë bursa të pjesshme, që mbulojnë shpenzimet e regjistrimit në seminar (100 €) dhe në leksione (400 €), por nuk mbulohen shpenzimet e udhëtimit dhe të qëndrimit në Itali. Kandidatët e interesuar duhet të dorëzojnë pranë Sektorit të Marrëdhënieve me Jashtë në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, brenda datës 20 prill 2010
Dokumentet që duhen për aplikuesit
Kërkesën e të interesuarit drejtuar MASH;
Listën e notave, fotokopjen e noterizuar;
Dëshmi për njohjen e gjuhës angleze, gjermane ose italiane;
CV;
Raportin mjekësor;
Certifikatën e lindjes me fotografi;
3 copë fotografi.
Për një informacion më të detajuar në lidhje me dokumentacionin që do të plotësohet, përfshirë dhe formularin e aplikimit, referojuni adresës në wb-site:www.chuço-zuço.eu;
Kombinat, prishet rruga “Qelqit”
Prishet disa muaj pas asfaltimit rruga e Qelqit në Kombinat. Mungesa e kanalizimeve dhe pusetave në kohë me shi përmbyt katet e para të banesave. Sipas kryetares së njësisë bashkiake numër 6, Luzhiana Abazaj, ndërmarrja numër dy e Bashkisë së kryeqytetit nisi asfaltimin e kësaj rruge në kohën kur nga njësia bashkiake ishte kërkuar bërja e kanalizimeve, kërkesë e cila nuk u mor parasysh. Abazaj thotë se kjo rrugë tashmë ka dalë jashtë funksioni dhe se në kohë me shi ujërat e zeza dhe të bardha mbulojnë katet e para të banesave. “Bllokimi i kanalizimeve ndodhi për shkak të asfaltimit që i është bërë kësaj rruge” u shpreh Abazaj. Kryetarja e njësisë bashkiake numër 6, thotë se buxheti 2010 i Bashkisë së Tiranës nuk parashikon asnjë qindarkë për njësinë numër 6 dhe nëse kjo gjë nuk ndryshohet, investimet sipas Abazaj do të realizohen nëpërmjet granteve të qeverisë.
Sipas Abazaj, Bashkia e Tiranës nuk ka marrë asnjëherë parasysh kërkesat e njësisë për asfaltimin e rrugëve me kanalizim por ka asfaltuar rrugë në kohë premtimesh elektorale.
18 Shkurt 2010