Uji pijshëm, dyfishohet numri pikave të ndotura në kryeqytet
Eljona Lata
Uji i pijshëm në kryeqytet vazhdon të jetë i ndotur dhe për pasojë qytetarët ende nuk mund të pinë lirshëm ujin e çezmave.
Nga analiza vjetore e kryer nga Drejtoria e Higjienës ka rezultuar se numri i pikave të ujit të pijshëm me ndotje ka ardhur në rritje në vitin 2009 në krahasim me vitin 2008. Sipas të dhënave ka pasur një rritje nga 6.3 % e pikave të ndotura që rezultonin për 2008, në 2009 ka arritur në 12% të tyre duke arritur kështu në një dyfishim të rasteve. Specialistët që merren çdo ditë me ekzaminimin e mostrave të ujit të pijshëm rendisin disa shkaqe të ndotjes, ndër to është dhe pakujdesia e qytetarëve. “Në të shumtën e rasteve ndotja vjen edhe për shkak të pakujdesisë të qytetarëve, të cilët duhet të pastrojnë vazhdimisht depozitat, sepse në periudhën e shirave ka më shumë mundësi të rritet ndotja e ujit të pijshëm” shprehet Vili Sinjari, specialist për problemet me ujin e pijshëm. Sipas Shefit të Shërbimit të Higjienës, Sazan Skuko, tre janë zonat më të rriskuara në kryeqytet, zona e Kinostudios, rruga “Ali Demi” dhe një pjesë e bulevardit “Zogu Parë”.
Analiza
Gjatë analizës së djeshme u fol për të gjitha pikat ku merren mostrat në qytet dhe në zonat përreth. Këtu përfshihen impiantet, për të gjitha depot. Nga analiza e pikave të ndotura të ujit të pijshëm, ka rezultuar se nga 400 pika që ishin në 2008-n, janë shtuar edhe 300 pika fundore më shumë duke e çuar numrin në 700 për 2009-n. Në të gjithë kryeqytetin pjesa më e madhe e qytetarëve e blejnë ujin e pijshëm. Ndërsa Shefi i Shërbimit të Higjienës, Sazan Skuko thotë se zonat më me risk në kryeqytet janë në Kombinat, rruga “Ali Demi”, një pjesë e bulevardit “Zogu i Parë” tw cilat janë dhe zonat kryesisht me infrastrukturë të vjetër. Në bazë të analizave kimike dhe bakterelogjike në këto tre javët e fundit nuk ka pasur ndonjë rast shqetësues përveç të ndonjë rasti sporadike. Nga analiza e fundit të kryer në zonë e Farkës doli se uji i ishte i përdorshëm, pa ndonjë lloj ngarkese.
Shkaqet
Zonat e vjetra që funksionojnë me rrjet shpërndarës të vjetër kanë më shumë risk për të pasur më shumë mundësi të ndotjes së ujit të pijshëm. “Duhet të theksohet që këto janë zona të trashëguara, dhe jo se ndotja ka ndodhur në vitet e fundit” shprehet Sinjari. Sipas specialistit, problemet me ujin e pijshëm ka ardhur edhe nga depozitat. Specialistët këshillojnë se pas një sezoni me shira ku risku i ndotjes është më lartë, duhet të boshatiset depozitat për ta pastruar, sepse uji është i ndenjur dhe në fund grumbullohet një shtresë, e cila bëhet shkak i ndotjes. Shkak tjetër kanë qenë punimet nëpër rrugët dhe kryqëzimet e shumta që ekzistojnë midis tubacioneve. Sinjari shpjegon se rastet sporadike kanë ndodhur kryesisht në zonat ku janë bërë punimet ku mund të jenë shtuar rrugë nga ku mund të jenë dëmtuar kanalizimet e ujërave të bardha me të zeza duke shkaktuar ndotjen e ujit. Shefi i shërbimit të higjienës shpjegoi dje se monitorimi shtrihet në të gjithë zonën përreth Tiranës. Sidomos në periudhën e shirave kur rreziku i ndotjeve mund të jetë më i lartë për shkak të mbushjes së pusetave.
Dëbora zëvendëson ujësjellësin
Banorët e qytezës Maliq në Qarkun e Korçës po vuajnë mungesën e ujit të pijshëm prej disa javësh. Kjo për shkak se ujësjellësi është dëmtuar dy javë më parë dhe me gjithë kërkesat e banorëve nuk është dhënë asnjë përgjigje pozitive. Të ndodhur në situatë të vështirë, banorët kanë gjetur një mënyrë kryesore të furnizimit me ujë duke shfrytëzuar shirat dhe dëborë e shkrirë për të plotësuar nevojat. Këtë problem e hasin të gjithë banorët e qytetit dhe bëhet fjalë për rreth 1 mijë banorë në këtë zonë që janë në vartësi administrative të Bashkisë Maliq. Sipas Drejtorisë së Ujësjellësit për këtë qytet nuk ka fonde për të kryer riparimet dhe nuk dihet se edhe për sa kohë banorët do të shfrytëzojnë ujin e shiut dhe të borës.
18 Shkurt 2010