Malajzia njeh zyrtarisht shtetin e Kosovës
Shtohet ditë pas dite lista e vendeve anëtare të Konferencës Islamike që po njohin shtetin e Kosovës. E reja më e fundit vjen nga Kualalumpuri i largët. Malajzia zyrtarizoi njohjen e pavarësisë së Kosovës. Shefi i zyrës së Malajzisë në Prishtinë, Mustafa Mansor, i dorëzoi ministrit të Jashtëm kosovar, Skënder Hyseni, letrën e homologut të tij malajzian, përmes së cilës konfirmon njohjen e shtetit të Kosovës. Ministri Hyseni ka falënderuar shefin e zyrës së Malajzisë dhe është shprehur se pret njohje edhe nga të tjera vende. Bashkë me Malajzinë, Republika e Kosovës është e njohur nga 52 vende të botës. "Dëshiroj t‘i referohem bisedës sonë të përbashkët gjatë takimit të mbajtur në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara më 27 shtator 2008 në Nju Jork. E çmoj mundësinë që patëm për të shkëmbyer pikëpamjet lidhur me çështjet e interesit të përbashkët, duke përfshirë edhe zhvillimet në Kosovë. Kam nderin t‘ju përcjell Shkëlqesia Juaj dhe përmes jush e qeverisë së Kosovës se, qeveria e Malajzisë ka njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës. Më lejoni Shkëlqesi t‘ju përcjellë Ju dhe qeverisë së Kosovës dëshirat më të sinqerta në përpjekjet tuaja të ardhshme", thuhet në letrën të cilën i dërgoi ministrit Hyseni, homologu i tij nga Malajzia, dr. Rais Yatim. Përveç Malajzisë, nga Konferenca Islamike Kosovën e kanë njohur deri tani edhe Turqia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Nga diplomacia e Kosovës bëhet e ditur se gjithçka do të lëvizë më shpejt në ditët e ardhshme, duke rritur numrin e vendeve aziatike. Deri tani, Republikën e Kosovës e kanë njohur gjithsej 52 shtete të botës.
Përveç Malajzisë, nga Konferenca Islamike Kosovën e kanë njohur deri tani edhe Turqia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe
Përveç Malajzisë, nga Konferenca Islamike Kosovën e kanë njohur deri tani edhe Turqia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe