E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbardhen bisedat BE-Beograd për EULEX-in

Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, thotë se ai nuk merr pjesë në bisedimet me përfaqësues të OKB-së dhe, po kështu, thonë edhe në të ashtuquajturën "Ministri për Kosovën e Metohinë" dhe në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Serbisë. Në qarqet politike serbe thuhet se, që prej dhjetë ditësh, në Beograd po zhvillohen me intensitet e në fshehtësi të madhe bisedime për EULEX-in. Gazeta e përditshme serbe "Politika", që u referohet qarqeve diplomatike në Beograd, shkruante dje se këto bisedime tani kanë rënë në një krizë të thellë dhe se shanset për të arritur ndonjë kompromis janë mjaft të vogla, pasi, edhe pse ndodhet përballë presionit të madh të Brukselit që ta pranojë EULEX-in, Beogradi vazhdon të ngulë këmbë me kokëfortësi te kushtet e veta: që misioni të ketë status neutral, që të mos zbatohet Plani i Marti Ahtisarit dhe që ai (EULEX-i) të vihet në ombrellën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Forca e këtij presioni të Brukselit është kaq e madhe, shkruan gazeta e mësipërme, saqë pala serbe ka mjaft frikë se, sapo ajo të pranojë vendosjen e këtij misioni, nga Brukseli do të vijonte kërkesa që Serbia të vendosë ndonjë lloj marrëdhënieje me qeverinë e Kosovës, p.sh., duke nënshkruar ndonjë marrëveshje që do të ketë të bëjë me përmirësimin e kushteve të jetesës së popullsisë në Kosovë, të cilën, më vonë, Brukseli do të mundë ta interpretonte se Serbia e ka njohur indirekt pavarësinë e Kosovës. Këtë situatë të komplikuar e pështjellon edhe më tepër mungesa e ndonjë informacioni zyrtar për bisedimet mbi EULEX-in. Informacionet që qarkullojnë aktualisht në Beograd për këto bisedime janë jozyrtare dhe, deri tani, kanë qenë ta pasuksesshme të gjitha përpjekjet e mediumeve të shkruara e elektronike që të marrin ndonjë konfirmim zyrtar, se kush po bisedon në emër të Serbisë dhe se cilët janë këta njerëz në Serbi "të autorizuar të bisedojnë për Kosovën" me, sikurse bëri të ditur para disa ditësh zëdhënësi i UNMIK-ut, Aleksandar Ivanko, përfaqësuesi i OKB-së për ndërmjetësimin në dialogun mbi rikonfigurimin e UNMIK-ut, Endrju Ledli. Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, tha vetë ditët e fundit, në një rast, se ai nuk merrte pjesë në bisedime. "Me Lamberto Canjerin, shef i UNMIK-ut, dhe me përfaqësuesit e OKB-së nuk po bisedoj unë, pasi këto bisedime po i zhvillojnë përfaqësues të Serbisë në nivele të tjera", tha ai, duke pretenduar se bisedimet nuk janë sekrete. Edhe Goran Bogdanoviç, që ndodhet në krye të "Ministrisë për Kosovën e Metohinë", i tha gazetës "Politika" se askush në këtë ministri nuk po bisedon me Endrju Ledlin, ndërkohë që edhe nga qeveria serbe askush nuk dëshiron të tregojë se kush po i zhvillon këto bisedime dhe të gjithë atyre që bëjnë pyetjen përkatëse, u thuhet të shkojnë të pyesin në Ministrinë e Jashtme. Por, në këtë ministri thonë se shefi i diplomacisë serbe, Vuk Jeremiç, nuk po merr pjesë në këto bisedime. Por, sikurse thonë burime jozyrtare, ekipi bashkëbisedues-fantazmë serb ekziston dhe ai po zhvillon bisedime. Zëdhënësi i UNMIK-ut, Aleksandar Invanko, i tha dje agjencisë serbe të lajmeve BETA se i dërguari i OKB-së, Endrju Ledli, u takua këto ditë në Beograd me "përfaqësues zyrtarë", por nuk zbuloi asnjë emër se me kë ishte takuar Ledli. E vetmja hollësi që ai bëri të ditur, ishte se ata kishin porosi nga Nju-Jorku që ritmi i bisedimeve të përshpejtohej dhe të dilej me rezultate konkrete. Përgatiti: Maksim Sinemati

Forca e këtij presioni të Brukselit është kaq e madhe, shkruan gazeta e mësipërme, saqë pala serbe ka mjaft frikë se, sapo ajo të pranojë vendosjen e këtij misioni, nga Brukseli do të vijonte kërkesa që Serbia të vendosë ndonjë lloj marrëdhënieje me qeverinë e Kosovës



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›