Qeveria jep 2 mijë lekë për një faqe
Qeveria mori dje vendimin për përcaktimin e procedurave të përkthimit të pyetësorit të Komisionit Europian, në kuadër të anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Europian. Në vendim thuhet se Ministria e Integrimit organizon procesin e përzgjedhjes së përkthyesve për përkthimin dhe rishikimin e përkthimit të pyetësorit të Bashkimit Europian. Për këtë qëllim, Ministria e Integrimit ndjek këto procedura: a) shpall lajmërimin për përzgjedhjen e përkthyesve; b) përcakton kriteret për përzgjedhjen e tyre; c) përcakton numrin e përkthyesve, që do të përfshihen në këtë proces; ç) ndan punën ndërmjet përkthyesve, sipas kapitujve/nënkapitujve të pyetësorit; d) kujdeset për unifikimin e terminologjisë gjatë procesit të përkthimit. Vlerësimi i kandidaturave bëhet nga një komision vlerësimi, i ngritur me urdhër të ministrit të Integrimit. Lista e përkthyesve të përzgjedhur miratohet nga ministri i Integrimit, me propozimin e komisionit të vlerësimit. Tarifa e shpërblimit për përkthimin dhe rishikimin e përkthimit për një faqe kompjuterike është 2 000 (dy mijë) lekë, sipas standardeve të miratuara nga ministri i Integrimit. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga buxheti i vitit 2009, miratuar për Ministrinë e Integrimit. 6. Ngarkohet Ministria e Integrimit për zbatimin, ndërsa vendimi hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.