E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në tunel zbulohen 50 arka me fishekë e 20 predha

12/01/2009  Telefonuan banorët e fshatit Lapardha

BERAT- Një sasi e konsiderueshme municionesh dhe predha janë zbuluar në një tunel në një fshat të rrethit të Beratit. Burime të komisariatit të policisë së këtij qyteti bëjnë me dije se ka qenë një telefonatë e bërë në organin blu nga banorët e këtij fshati që ka vënë në alarm drejtuesit e policisë. Gjithnjë duke iu referuar këtyre burimeve mësohet se kanë qenë disa fëmijë, të cilët duke luajtur kanë parë sasinë e municioneve dhe kanë njoftuar prindërit, të cilët më pas kanë njoftuar policinë. Drejt fshatit Lapardha, pak kilometra larg këtij qyteti kanë udhëtuar menjëherë ekspertët e policisë dhe specialistë të armatimit që kanë parë nga afër sasinë e municioneve dhe predhat. Ata janë bllokuar në një tunel në breg të lumit Lapardhisë. Kështu punonjësit blu kanë gjetur brenda tunelit 50 arka me fishekë, me nga 760 copë fishekë secila dhe 20 predha luftarake të kalibrave të ndryshëm. Sasia e municioneve të gjetura është sekuestruar dhe më pas janë dërguar në magazinat e komisariatit të këtij qyteti. Sasia e municioneve dhe predhat dyshohet se kanë qenë të vendosura brenda tunelit që vitit 1997, ndërkohë që punohet për të mësuar autorësinë e tyre. Ky është rasti i dytë brenda 24 orëve të fundit që bllokohet një sasi e tillë municioni në qarkun e Beratit, pasi edhe sasia e mëparshme e kapur i përkiste armatimit të grabitur në vitin 1997.

S. Gradica

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›