E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Qeveria ka humbur lidhjet me PD”

• Ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj, akuzon qeverinë se ka humbur lidhjet me Partinë Demokratike.Deputeti demokrat thotë se në qeverisjen e vendit nga koalicioni i djathtë, PD-ja u ka dhënë përgjegjësi me tepri partive të koalicionit dhe në disa raste ka depolitizim të qeverisë. Këto komente ish-kreu i diplomacisë shqiptare i bëri në emisionin "Top Show". QeveriaSipas Mustafajt, qeveria ka humbur kontaktet me strukturat e PD-së. "Qeveria ka humbur lidhjet me partitë. Nuk është aq sa duhet PD-ja e përfaqësuar në qeveri. Ka një ndarje përgjegjësish me partitë e koalicionit me tepri ose një depolitizim të qeverisë. Qeveria del nga zgjedhjet politike. Së dyti, në mënyrë fare evidente strukturat politike të PD-së kanë humbur çdolloj marrëdhënie politike me qeverinë. Nuk kemi parë ne në më shumë se 2 vjet e gjysmë qeveri, asnjëherë ministrat të mblidhen në Këshillin Kombëtar", thekson ish-ministri i Jashtëm, Mustafaj. Duke vazhduar në këtë linjë, ai shprehet se humbja e lidhjeve të partisë dhe strukturave të saj me qeverinë, mund të ndikojë negativisht në zgjedhjet e ardhshme, pasi do të jenë pikërisht strukturat e partisë ato të cilat do të bëjnë edhe fushatën elektorale. Mustafaj kritikon edhe mënyrën sesi Kryeministri Berisha drejton administratën. "Unë i kam thënë njëherë Kryeministrit që një zv.ministër duhet ta mbaj mend që gjatë katër vjetëve ka takuar një herë ose dy herë kryeministrin. Ndërsa, nuk ka drejtor ndërmarrje në Shqipëri që nuk ka folur në telefon me Berishën, që nuk ka marrë sms nga Berisha, ose që nuk është thirrur në një mënyrë a një tjetër të kryejë një detyrë drejtpërdrejtë nga kryeministri, duke tejkaluar ministrin. Këto janë metoda që për mua pengojnë forcimin e institucionit. Nuk drejtohet partizançe". Kritikat për NgjelënDeputeti i PD-së i rikthehet edhe njëherë kritikave për ish-deputetin e PD-së, Spartak Ngjela. Sipas Mustafajt, ishte pikërisht Kryeministri Berisha ai që e mori Ngjelën në parti. "Një njeri që shkon në zyrën e kryeministrit me mikrofona nëpër xhepa, ai për mua është i zhvlerësuar totalisht si politikan. Unë jam deputet, në zyrën e kryeministrit nuk shkoj me mikrofon, as me aparate fotografikë. Unë dal dhe them kështu i thashë e kështu më tha, dhe në qoftë se unë kam gënjyer, kryeministri bën përgënjeshtrimin e vet. Deputeti është përfaqësues", thekson Mustafaj. "PD-ja nuk ka ndjerë ndonjë energji suplementare nga ardhja e tij. Ngjela shpeshherë ka një motivim krejtësisht negativ ndaj PD-së. Një forcë politike dëmtohet nëse deputetët e saj janë provokativë. Ai e di që është jashtë PD-së", shprehet më tej ish-ministri i Jashtëm.Zërat kundër"Një nga dëmet që i ka bërë Berisha PD-së është se ka krijuar idenë se për të bërë karrierë në PD duhet të kesh një komunikim direkt me të dhe duhet të kesh vlerësimin e tij, çka në praktikë në shumë raste është e provuar që s'është e vërtetë. Por kjo ide ekziston dhe shumë njerëz sa më shumë afrojnë zgjedhjet aq më pak do dëgjosh zëra, sepse mendojnë se nuk bëhen dot deputetë".Hapja e ambasadaveIsh-ministri i Jashtëm është kritik edhe me politikat e qeverisë për hapjen e ambasadave në vendet ku Shqipëria nuk ka përfaqësi diplomatike. "Nëse unë do të isha ministër i Jashtëm, nuk do hapej ambasadë në Slloveni dhe në ndonjë vend tjetër, përveçse në Indi. Në programin qeveritar kemi hapjen e ambasadës në Japoni dhe Indi. Çdo devijim nga ky program është një ide subjektive, që dikush ia sugjeron në një bisedë kryeministrit dhe kryeministri beson që është e drejtë. Ka qenë një përfaqësi në Slloveni, është mbyllur, hapet prapë, pa asnjë strategji", thekson Mustafaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›