E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reforma në Drejtësi, bllokohet nisma e PS-së

• Maxhoranca bllokon nismën e PS-së për miratimin e planit të veprimit për reformën në sistemin e Drejtësisë.I parashikuar për t'u votuar në fund të seancës parlamentare, maxhoranca kërkoi tërheqjen e votimit për të realizuar më parë një diskutim në Konferencën e Kryetarëve të grupeve parlamentare. Si pjesë e konsensusit politik, PS-ja propozoi projektvendimin "Për ngritjen e një nënkomisioni në përbërjen e Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut". Ky nënkomision parashikohej të merrej me organizimin e procesit të reformës në sistemin e drejtësisë, duke përfshirë dhe planin e veprimit të opozitës. Por kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, në momentin e votimit të projektvendimit, i kërkoi kryeparlamentares Topalli ta shtyjë për në seancën tjetër. "Kjo çështje përpara votimit duhet të diskutohet në konferencën e krerëve të grupeve parlamentare", deklaroi nënkryetari i PD-së, Patozi. Por edhe pse është pranuar, socialistëve i la një shije të keqe një gjë e tillë, të cilët prisnin vazhdimin e "paqes" mes dy më të mëdhenjve, pozitës dhe opozitës, socialistëve dhe demokratëve. PS-ja kërkoi miratimin një rezolute të posaçme nga Kuvendi për reformat në sistemin e drejtësisë, si një garanci për vazhdimin e mëtejshëm të tyre. Por edhe pse PD-ja, Patozi dhe drejtues të tjerë u shprehën pro, nisma e opozitës ka mbetur vetëm në suazën e deklaratave pa u konkretizuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›