Statuti, FSHF e MTKRS, përplasen
• Statuti i FSHF-së, i cili është firmosur dy ditë më parë nga ministri i MTKRS-së Ylli Pango, është dërguar në FSHF me kërkesën për të bërë disa ndryshime nga kjo e fundit.Krerët e saj bëjnë të ditur se ndryshimet në statut i bën vetëm asambleja, por është e pamundur që kjo të realizohet sepse asambleja është mbledhur njëherë në muajin qershor. Me ndryshimet e kërkuara nga MTKRS, Federata nuk mund ta regjistrojë statutin në gjykatë, çka përbën një tjetër handikap mes FSHF-së dhe shtetit. Ndërkaq drejtuesit e Federatës të shqetësuar i janë drejtuar menjëherë FIFA-s dhe UEFA-s për këtë çështje. "Ne nuk jemi palë në këtë çështje. MTKRS duhet ta zgjidhë këtë punë me FIFA-n e UEFA-n sepse ato i kanë kërkuar ministrit që të firmosë statutin. Nëse ato pranojnë që të bëhen ndryshimet, atëherë ne do t'i bindemi kërkesës së tyre. Aktualisht jemi në pritje të reagimit të dy organizmave më të lartë të futbollit ndërkombëtar", ka thënë sekretari i përgjithshëm i FSHF-së, Arben Bici. Kërkesa e MTKRS-së për ndryshime ka të bëjë me një nga pikat ku përcaktohen liritë dhe të drejtat e FSHF-së, ku sipas drejtoreshës së sporteve në MTKRS, është shkelur ligji në mënyrë flagrante. Ministri i Financave Ridvan Bode ka deklaruar se do të rinisë auditi në FSHF.