E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria ka shkelë Kushtetutën, në rastin e privatizimit të PTK-së

Partitë opozitare në vend reaguan të premten ndaj ftesës publike të Qeverisë së Kosovës për shitjen e aseteve të PTK-së, pa miratimin e Draftit përfundimtar të strategjisë për privatizimin e PTK-së nga Kuvendi i Kosovës.

Në një konferencë për gazetarë, kryetarja e Departamentit për Energji dhe Miniera e AKR-së, Myzejene Selmanaj tha se me këtë veprim Qeveria Thaçi po dëshmon se është e gatshme të shkelë mbi vendimet e Kuvendit të Kosovës, për interesa dhe qëllime personale.

“Arsyet për të cilat AKR-ja kundërshton këtë privatizim është se nuk është momenti i duhur për privatizimin e PTK-së, mungesa e vlerësimit të cilin, Qeveria e Kosovës nuk i ka bërë aseteve të PTK-së veç e veç. AKR vlerëson se privatizimi i PTK-së duhet të bëhej me një debat publik dhe të bëhet një analizë e mirëfilltë me të gjithë qytetarët, me të gjitha organizatat joqeveritare dhe gjithë ekspertët, të merret mendimi i të gjithë deputetëve dhe të gjitha partive politike”, tha Selmanaj.

Në seancën e 27 korrikut, Kuvendi i Kosovës e shqyrtoi dhe e miratoi në parim Propozim – Strategjinë e Qeverisë së Kosovës për privatizimin e PTK-së, ndonëse tri partitë opozitare kishin lëshuar seancën dhe nuk morën pjesë në votim. Draft-strategjia kishte kaluar leximin e parë, pa u ditur saktë numri i votave të deputetëve që morën pjesë në votim.

Kryeministri Thaçi pati premtuar se në draftin përfundimtar të strategjisë për privatizimin e PTK-së, që pritej të miratohej në muajin shtator do të inkorporoheshin të gjitha rekomandimet e deputetëve. Por, kjo megjithatë nuk ndodhi.

Qeveria e Kosovës, të enjten shpalli tenderin për shitjen e 75 për qind të aseteve të PTK-së dhe kjo sipas Selmanajt, dëshmon se Qeveria është e gatshme të shkelë mbi vendimet e Kuvendit dhe mbi Kushtetutën.

“Qeveria e Kosovës dëshmon edhe një herë se është e gatshme të shkelë mbi vendimet e Kuvendit dhe strategjinë, të cilën e ka kaluar vetëm në leximin e parë”, tha Selmanaj, duke shtuar se AKR nuk e di as sa janë shitur këto asete.

Ndaj këtij vendimi të Qeverisë ka reaguar edhe AAK-ja. Anëtarja e Kryesisë së kësaj partie, Melihate Tërmkolli ka thënë se mënyra se si po bëhet privatizimi i ndërmarrjeve publike në Kosovë është e papranueshme për AAK-në.

“Kemi të bëjmë me një qeveri të korruptuar, me një qeveri, e cila realisht përderisa është nën hetime nuk guxon të ndërmarrë veprime të tilla, dhe me një qeveri e cila nuk është rasti i parë që i shkel vendimet e Kuvendit të Kosovës, ka edhe shumë raste tjera kur kjo qeveri ka shkel, në mënyrë ma flagrante, edhe vendimet e veta, por edhe vendimet e Kuvendit të Kosovës”, ka thënë Tërmkolli.

Ndërkohë, i pyetur nga Kosovapress, ministri i Transportit dhe Telekomunikacionit, Fatmir Limaj tha se privatizimi i PTK_së, tash e tutje nuk është në përgjegjësinë e MTPT-së, por mbi atë të Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave (MEF). /kosovapress/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›