E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria nuk e pranon se do të ketë deficit buxhetor

Prishtinë, 6 gusht - Zëvendësministri i Ekonomisë dhe i Financave, Bedri Hamza, ka prezantuar të enjten para mediave Raportin gjashtëmujor të shpenzimeve të buxhetit të Kosovës për vitin 2010, raport i cili u miratua një ditë më parë nga Qeveria. Gjatë prezantimit të këtij raporti ai nuk e pranoi se ka ndonjë të metë në shpenzimin e buxhetit apo do të ketë mungesë të buxhetit në fund të vitit. “Edhe brendapërbrenda këtij viti, pa llogaritur bartjet e vitit të kaluar ne kemi një rritje të pagës së gatshme. Të hyrat e buxhetit presin të realizohen konform planit me mundësi të tejkalimit”, tha Hamza.
Ai nuk pranoi se vitin e kaluar ka pasur deficit. “Nuk ka pasur as vitin e kaluar deficit dhe nuk do të ketë as këtë vit”, tha ai.
Karakteristikë e këtij buxheti, sipas zëvendësministrit, ka qenë performimi i mirë i të hyrave buxhetore. “Veçoritë kualitative të këtij raporti janë ngritja substanciale e të hyrave krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak dhe gjithashtu ngritja  kualitative në kategorinë e investimeve kapitale”, tha Hamza. Sipas tij
plani buxhetor i të hyrave vjetore për vitin 2010 është 1,109,200,000 euro, ndërsa plani buxhetor për shpenzimet vjetore është 1,278,040,000 euro, duke i përfshirë të hyrat vetjake të bartura nga viti 2009.
Të hyrat gjatë gjashtëmujorit të parë për vitin  2010, duke mos përfshirë grantet e përcaktuara të donatorëve, si dhe fondet në mirëbesim, sipas Hamzës, janë 533,489,280 euro apo 48.1 për qind të pranimeve të përgjithshme vjetore të planifikuara. “Kemi një rritje prej 27 për qind, krahasuar me periudhën e njëjte të vitit paraprak.
Të hyrat nga tatimet kufitare (doganat) ai tha se arrijnë në 42.8 për qind të realizimit të planit vjetor dhe janë në shumë 292,408,654 euro, ndërsa krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak kemi rritje për 8 për qind.
Të hyrat e  mbledhura nga Administrata Tatimore e Kosovës ai tha se kanë arritur në  43.2 për qind të realizimit të planit vjetor dhe janë në shumë prej 101,411,854 euro, ndërsa krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak ka një rritje për 5 për qind.
Shpenzimet gjatë gjashtëmujorit të parë për vitin 2010, duke mos përfshirë grantet e përcaktuara të donatorëve, si dhe fondet në mirëbesim, sipas tij, janë 466,227,685 euro apo 36.5 për qind të planit të përgjithshëm vjetor. Krahasuar me vitin paraprak shihet një rritje vjetore e  pagesave prej 8.4 për qind. “Pagesat nga kategoria rrogat dhe pagat janë 147,146,257 euro ose 50.7 për qind të planit të përgjithshëm, ndërsa krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2009 kemi rritje gjatë vitit 2010 për 16 për qind. Kjo rritje është si rrjedhojë e rritjes se pagave në sektorin e shëndetësisë për 44 euro, 30 euro për stafin civil në muajin maj dhe qershor 2010, si dhe për shkak të krijimit të institucioneve të reja”, theksoi zëvendësministri Hamza.
Sipas të dhënave të MEF-it, pagesat nga kategoria e mallrave dhe shërbimeve janë 64,042,618 euro ose 37.4 për qind të planit të përgjithshëm. Pagesat në gjashtëmujorin 2010 për ketë kategori ekonomike kanë qenë për 16 për qind më të larta sesa në periudhën e njëjte të vitit paraprak. “Kjo rritje është si rrjedhojë e shpenzimeve më të mëdha për furnizime mjekësore, të cilat janë në shume prej 7,85 milionë eurosh, që janë më të mëdha për  4.7 milionë euro sesa në vitin e kaluar”, ka theksuar Hamza.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›