E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria kalimtare konfirmon dorëheqjen e Bakijev-it


Dorëheqja e presidentit të rrëzuar të Kirgizitanit, Kurmanbek Bakijev, është konfirmuar nga kryeministrja në detyrë Rosa Otunbajeva. Qeveria e përkohshme në kryeqytetin Bishkek, ka marrë një deklaratë nga Bakijev, bëri të ditur Otunbajeva, e cila citohet nga agjencia Interfax. Më parë kreu i shtetit që u rrëzua nga posti ishte larguar nga Kirgiztani dhe kishte udhëtuar për në Kazakistan. Organizata për Bashkëpunim dhe Siguri në Evropë,ose OSBE, deklaroi se ky është një hap i rëndësishëm për të parandaluar një luftë civile. Gjatë trazirave humbën jetën më shumë se 80 persona. Pas largimit nga Bishkeku, Presidenti i Kirgiztanit, Kourmanbek Bakiev u vendos në jug të vendit pak ditë më parë. Ndërkaq ai mundi të organizojë edhe tubime në këtë zonë të vendit, ku u regjistruan edhe të shtëna me armë nga truprojat e tyre. Në jug të Kirgiztanit, u zhvilluan manifestime nga përkrahësit dhe kundërshtarët e Bakievit. Autoritetet e përkohshme të Kirgiztanit ndërkohë janë shpallur legjitime dhe shpresojnë për përfundim të konfliktit, pas largimit dhe dorëheqjes së presidentit Kurmanbek Bakiev.
Ky i fundit shkoi të enjten në Kazakistanin fqinj, dhe zyrtarët thanë se nënshkroi një letër dorëheqjeje.
Departamenti amerikan i Shtetit tha se presidentët amerikanë, rusë dhe kazakë, Obama, Medvedev dhe Nazarbajev, e kishin diskutuar largimin e Bakievit gjatë samitit bërthamor në Uashington.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›