Qeveria kërkon nga opozita ide për Veriun

Por Qeveria, vazhdon të konsiderojë se opozitës i mungojnë idetë për veriun, andaj e fton që të jap ide dhe premton se idetë e dobishme do të adaptohen me mundësitë që ka Kosova.
Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka thënë të hënën se para së gjithash, do të dëshironte të dëgjonte që opozita ka ide për zgjidhjen e çështjeve të ndryshme, para se të kritikojë.
Megjithatë, i pyetur nëse 13 pikat e Vetëvendosjes janë ide, Kuçi këtë nuk e ka mohuar.
“Ende nuk na i kanë dërguar, le të na i dërgojnë, do t’i shqyrtojmë pa asnjë problem”, ka thënë ai.
Lëvizja Vetëvendosje këto 13 pika kishte paraparë t’i paraqiste në një seancë të jashtëzakonshme, për të cilën nuk ka marrë mbështetjen madje as të dy grupeve opozitare, LDK dhe AAK, përjashtuar disa deputetëve të kësaj të fundit.
Por, zëvendëskryeministri Kuçi shprehet hapur se është lodhur nga kërkesat për seanca të jashtëzakonshme.
“Kjo seanca e jashtëzakonshme në Kosovë, besoj fjala e jashtëzakonshme jemi lodhë me të. Kurdo, me 6 deputetë, me një grup parlamentar, ne kemi biseduar, ju e dini për këtë çështje, jemi të gatshëm të raportojmë, të informojmë për çdo ditë. Por logjika për të bërë seanca të jashtëzakonshme, kur nuk është gjendje e jashtëzakonshme, nuk mund ta bëjmë. Ajo çka mund të jetë, ne e ftojmë edhe Lëvizjen Vetëvendosje edhe të tjerët që të japin ide. Ne nuk mendojmë që idetë më të mira në botë janë në Qeverinë e Kosovës. Ne nuk e kemi atë logjikë. Ne do ta shqyrtojmë çdo ide të kujt do qoftë që do të vijë dhe idetë e mira do t’i adaptojmë. Natyrisht në përputhje me rrethanat në kushte dhe me buxhetin që e kemi”, ka thënë Kuçi.
Ndër 13 pikat që Vetëvendosja i ka prezantuar në konferencë për media në pamundësi për t’i prezantuar në seancë të jashtëzakonshme, janë edhe pavarësisë, shndërrimi i FSK-së në ushtri, shtimi i prezencës se policisë në veri, krijimi i marrëdhënieve bilaterale me Shqipërinë, SHBA-të, Turqinë dhe vendet mbështetëse të BE-së, ndërprerja e burimeve financiare për strukturat kriminale në veri, angazhimi i Kosovës dhe Serbisë për shqiptarët në Luginën e Preshevës, integrimi i serbëve të veriut përmes zhvillimit e jo përmes privilegjeve, moslejimi i shitjes së pronave të qytetarëve në veri etj.