Qeveria konkretizon masat në luftën kundër informalitetit
Kryeministri Berisha cilësoi të një rëndësie të posaçme, në mbledhjen e këshillit të Ministrave, vendimin për "Përcaktimin e pagës referuese mujore, për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve, shoqërore dhe shëndetsore, dhe të tatimit mbi të ardhurat personale, sipas nomenklaturës së veprimtarisë ekonomike, për të punësuarit në sektorin jopublik, që kryejnë punë, të pakualifikuara e të kualifikuara, si dhe për personelin drejtues e tekniko-ekonomik të tyre."
Kryeministri nënvizoi se vendimi ka një rëndësi të madhe si në planin ligjor, të vendosjes së ligjit, por edhe në planin moral drejt lartësimit të dinjitetit njerëzor. Me këtë ligj arrihet ulja e mosbarazisë tatimore midis pagëultëve dhe punonjësve shtetërorë nga njëra anë, dhe të punësuarve nga biznesi privat nga ana tjetër.
Duke kërkuar prej të gjitha grupeve të interesit dhe mjediseve përpjekje të përbashkëta për të dalë nga fiktiviteti dhe epoka e simboleve, Kryeministri theksoi se me anë të këtij vendimi synohet të barazohet kontributi I personave me paga të ulëta, që përshifshin kontributin e tyre në sigurimet shoqërore, shëndetsore, apo dhe detyrime të tjera fiskale me të tjerët që përfitojnë paga të tjera.
Duke përgëzuar ministrinë e financave, për punën e bërë dhe konsultat e organizuara, me gjithë grupet e interesuara, Kryeministri theksoi se me këtë vendim hidhet një hap i madh për të dalë nga këneta e informalitetit.
Ndër të tjera, kryeministri u shpreh:
"Një çështje tjetër shumë e rëndësishme sot, është një vendim i qeverisë kundër informalitetit, një hap i madh drejt të vërtetës, drejt reales. Unë u bëj thirrje të gjitha grupeve të interesuara, të të gjitha mjediseve që bashkërisht të dalim në realitet siç jemi, të mos rrimë fiktiv, ti japim fund epokës së simboleve dhe fiktivitetit. Me këtë vendim ne synojmë të barazojmë kontributin e punonjësve me paga të ulëta, me pagat e tjera, që kupton, kontributin e tyre në sigurimet shoqërore si dhe kontributin e tyre në detyrime te tjera fiskale.
E kam theksuar dhe e theksoj se informaliti u shndërrua në një fat të vërtetë mbi të varfërit e këtij vendi dhe punonjësit me paga të ulëta dhe punonjësit e administrates. Në Shqipëri të vërtetat në dritën e diellit janë vetëm rrogat e administratës dhe punonjësit me rroga të ulëta të të sipërmarrjeve, të konfeksioneve apo sektorëve të tjerë, ndërkohë që në piramidën e rrogave gjenden fshehje të tyre të cilat në raste të caktuara e kalojnë edhe 20 here vlerën reale.
Unë e kuptoj se pas këtij vendimi do të ketë ilaritet në se mund ta quajmë kështu, ose pak më shumë se ilaritet, por e kuptoj se ky vendim ka një rëndësi të madhe si në planin ligjor, drejt vendosjes së ligjit, por edhe në planin moral drejt vendosjes, drejt lartësimit të dinjiteti njerëzor. Unë dua të mburrem me pagën që meritoj dhe në asnjë rrethanë nuk dua ta pjesëtoj atë me tre , pesë, dhjetë apo 20 herë vetëm e vetëm që të zvogëloj aksionet e mia të solidaritetit shoqëror, unë dua të mburrem me këto aksione.
Unë di se jap nga kjo page jap këtë përqindje për pensionistët shqiptarë. Di se nga kjo pagë jap këtë përqindje mbi të ardhurat që sjell kjo për shkollat, spitalet, rrugët, ujësjellësat, etj.
Di se këtë muaj nuk do të ketë lavdërime për kryeministrin. Të parët që do të më sulmojnë do të jenë mediat, për të cilat ushqej respekt, por kam bërë këtë zgjidhje si rrugën më të mirë, më të drejtë më të ndershme, për të qenë një shoqëri jo e simboleve, jo e fiktivitetit, por një shoqëri normale, që jetojmë në një realitte, të cilin e përmirësojmë , një realiteti që e ndryshojmë dhe e konsolidojmë.
Ndaj dhe dua të përgëzoj ministrinë e financave, për punën e madhe që ka bërë, konsultat që ka organizuar, gjithë grupet e interesuara, punën shumë javore, kategorizimet rajonale që ka bërë kjo ministri, të cilat njohin ndryshime sipas rajoneve dhe kështu me rradhë,pra me këtë vendim bëjmë një hap të madh për të dalë nga këneta e informalittetit. Vendime të tjera të rëndësishme do të pasojnë. Nuk mund të pretendojë për modernitet një vend, me të cilin paratë shpërndahen me trasta parash. Ministria ka marrë urdhër të përpunojë të gjithë lgjislacionin, që cdo gje të funksionojë nëpërmjet bankave. Tani janë kartta e identiteti të parave. Por këtë shpresojmë që ta interpretojmë sic duhet, si një reformë e cila nuk ka asnjë qëllim tjetër përvec modernitetit, përveç një Shqipëri formale, një Shqipëri nën ligj, një Shqipërie nën dritë.