Këshilli i Ministrave eliminon shpifjen si veprim penal
Qeveria miratoi sot në mbledhjen e radhës projektligjin "Për disa ndryshime në ligjin nr. 78 95, datë 27.1.1995, "Kodi penal i Republikës së Shqipërisë", i cili eliminon shpifjen si vepër penale. Ky vendim jo vetëm dekriminalizon shpifjen ndaj qytetarëve sipas praktikave ligjore të shumicës së vendeve evropiane, por u garanton gazetarëve mbrojtje penale në ushtrimin e fjalës së lirë.
Kryeministri Berisha vlerësoi si një problem shumë serioz për mediat shqiptare ndërhyrjet e fuqishme të pronarëve dhe botuesve në politikat editoriale. Ai ftoi shoqatat e gazetarëve të kontribuojnë në hartimin e ligjeve që mbrojnë gazetarët dhe lirinë e tyre të shprehjes nga brutaliteti i pronarëve dhe mungesa e profesionalizmit, siç është shembulli edhe i disa vendeve evropiane si Austria.
Nga ana tjetër, Kryeministri evidentoi shfrytëzimin e padrejtë të mediave për pastrimin e parave nga burime të paqarta. Ai kërkoi që nëse ky fenomen ekziston, ai duhet të qartësohet dhe zbardhet në mënyrë që media të mos jenë shënjestër e akuzave të tilla, të cilat turbullojnë jo vetëm imazhin e tyre por edhe të vendit në tërësi.
Kryeministri theksoi se ligji përbën një hap shumë të rëndësishëm drejt garantimit të lirisë së fjalës dhe të mediave.
Lidhur me çështjen e mësipërme, Kryeministri bëri këto komente:
"Do të trajtojmë në këtë mbledhje disa çështje shumë të rëndësishme.Çështja e parë është dekriminalizimi i shpifjes, heqja nga kodi penal i penaliteteve për të, një tendencë e qartë në tërësinë e legjislacionit perëndimor, por edhe një kusht për të mbrojtur gazetarët nga padia penale për akte që mund të konsiderohen shpifje dhe për t'i dhënë rrugë përgënjeshtrimit, si dhe në rastin e administratës nuk mund të bëhet fjalë për akt-padi civile, por në rastin e qytetarëve ata do të kenë të drejtë të ngrenë padi civile.
Me këtë akt ne bëjmë një hap shumë të rëndësishëm drejt garantimit të mëtejshëm të lirisë së mediave. Administrata e ka adaptuar këtë standard, që nga zgjedhjet e 3 korrikut, por është e domosdoshme që ky të bëhet një standard për të gjithë shoqërinë. Mbeten dy probleme serioze për mediat shqiptare, ndërhyrjet e fuqishme të botuesve dhe pronarëve në politikat editoriale. Unë ftoj shoqatat e gazetarëve, nën shembullin e Austrisë dhe të vendeve të tjera, të hartojnë ligje për të mbrojtur gazetarët dhe lirinë e tyre të shprehjes nga brutaliteti dhe ndërhyrje, të cilat i nxjerrin ata jashtë profesionalizmit. Sikundër, i garantoj ata që qeveria e pret me kënaqësi një nismë të tillë, por është e gatshme që ta ndërmarrë dhe vetë në rast se nuk ndërmerret. Kjo qeveri ka për synim garantimin e lirisë së mediave dhe të pavarësisë së tyre.
Problemi i dytë madhor për mediat shqiptare mbetet përdorimi i tyre për larjen e parave nga burime të paqarta, por kjo është një detyrë e financave, e cila nuk duhet të pranojnë që të etiketohen, në rast se fenomeni ekziston duhet ta qartësojmë, në rast se zbardhet origjina e të ardhurave me të cilat mbahet media, pastaj komente të tilla nuk janë të arsyeshme, por zbardhja është një detyrim madhor, pasi siç e dini mediat kanë qenë targeti i një akuze të tillë. Por ka edhe raporte të tjera, të cilat i akuzojnë në mënyrë direkte për larje parash, çka është një gjë shumë e rëndë për vendin dhe për median."