Komente të Kryeministrit për mediat
Pas takimit me përfaqësuesit e shoqatave të eksportuesve, Kryeministri Berisha, duke iu përgjigjur interesimit të medias, bëri këto komente:
"Së shpejti do të dërgojmë në parlament dy ligje. I pari ka të bëjë me heqjen nga Kodi Penal i shpifjes për gazetarët. Mendoj se mund mbetet çështje civile. Kjo ka qenë një nismë e disa kohëve më parë, të cilën tani do ta dërgojmë në parlament, në mënyrë që jo vetëm administrata, por edhe të tjerë të mund mos të mendojnë të ndjekin penalisht gazetarin për shpifje, me kushtin e vetëm që t'i përgjigjen nëpërmjet përgënjeshtrimit, siç është etika botërore profesionale e medias.
Së dyti, edhe pse lavdërojnë universalisht qëndrimin e qeverisë ndaj medias dhe lirisë së shtypit, siç keni lexuar në të gjitha raportet, sërish mediave shqiptare nuk i vënë notën që meriton. Dhe këtë notë nuk ia vënë, sepse pronarët, të cilët në tërësinë e tyre nuk kanë asnjë kulturë publicistike apo mediatike, u diktojnë gazetarëve atë çka nuk duhet t'u diktojnë dhe ju cenojnë shenjtërinë e fjalës së lirë. Në këtë rast, do të ndjekim shembullin e disa vendeve dhe do të bëjmë një ligj tjetër që të përcaktojë ndëshkime, natyrisht jo ndjekje penale, por disa masa të tjera shumë të forta për ata, zyrtarë apo jo zyrtarë, pronarë apo jo, të cilët u diktojnë gazetarëve cenimin e standardeve të pavarësisë së mediave dhe lirinë e fjalës. Nisma e dytë është në shqyrtim e sipër, sepse kërkon një ligj të veçantë. Ndërkohë që e para do të jetë një nismë shumë e shpejtë."