E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria kontrakton kompaninë e dytë këshilluese për shitjen e PTK-së

Prishtinë, 25 gusht – Ministria e Ekonomisë dhe Financave ka nënshkruar të martën kontratën për dhënien e tenderit për ofrimin e shërbimeve këshillëdhënëse strategjike në procesin e privatizimit të aksioneve të  Postës dhe Telekomit të Kosovës, tender të cilin e ka fituar kompania “Hunton and Williams LLP”, në partneritet me “Castilia Strategic Advisors” dhe “David Ross Group”, shkruan gazeta Koha ditore.
Organi Shqyrtues i Prokurimit e ka pezulluar ankesën e kompanisë gjermane “Arthur D Litle Gmbh”, ndërsa i ka lejuar Ministrisë së Ekonomisë dhe të Financave që të vazhdojë procedurat e përzgjedhjes së fituesit të tenderit, pasi që “Arthur D Litle Gmbh” sipas vendimit të OSHP-së, e ka dorëzuar ankesën pasi që është mbyllur afati tetëditor i pranimit të ankesave.
“Krahas angazhimit të këshilltarit të Transaksionit, angazhimi i këshilltarit strategjik në këtë fazë të projektit është bërë me qëllim të përmbylljes me sukses të procesit të privatizimit të aksioneve të PTK-së dhe është në përputhshmëri me praktikat dhe standardet e mira ndërkombëtare”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Ekonomisë dhe të Financave pas nënshkrimit të kontratës për kontratën e këshillimit strategjik të privatizimit të PTK-së. 
Qeveria e Kosovës do të ndajë edhe 550 mijë euro për angazhimin e kompanisë konsulente, e cila bën të njëjtën punë në përgatitjen e Korporatës së Postë -Telekomit për privatizim me një kompani të kontraktuar më herët. Këshilltari strategjik i përzgjedhur nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave, si dhe konsorciumi “Telco-AG-Wolf Theiss”, që punojnë si këshilltar transaksioni, sipas dosjes së tenderëve për këto dy aktivitete të prokurimit do të kryejnë punë të njëjta në procesin e privatizimit të PTK-së. Qeveria tashmë ka dërguar në Parlament strategjinë për privatizimin e PTK-së, e cila është diskutuar në Komisionin e Ekonomisë, Tregtisë, Energjetikës, Transportit e Postë-Telekomunikacionit. Kjo strategji nga ky komision brenda pak muajsh mund të kalojë për miratim në Parlament. Qeveria e Kosovës ende nuk ka bërë publike se sa është shuma e mjeteve të zotuara për këshilltarin strategjik, ndërsa për këshilltarin e transaksionit janë paguar 1 milion e 150 mijë euro. Dihet se “bakshishi” për këtë kompani do të jetë 0,39 nga vlera e përgjithshme e shitjes së korporatës së Postë -Telekomit të Kosovës. Në anën tjetër, qeveritarët kanë paraparë që të privatizojnë dy njësi të biznesit të kësaj korporate që janë “Vala” e “Telekomi”, ndërsa njësia postare do të mbetet në pronësi publike. Qeveria do t’i ruajë 25 për qind të aksioneve edhe në dy njësitë e biznesit, të cilat do të privatizohen.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›