Qeveria, korrupsion me tekstet për minoritetin
Deputeti i zonës minoritare të Dropullit, Vangjel Tavo, akuzon Pollon për korrupsion me testet. Reagon PolloTIRANË- Opozita ka akuzuar ish-ministrin e Arsimit, Genc Pollo, se gjatë kohës që ka drejtuar këtë dikaster ka abuzuar me fondet për tekstet shkollore për minoritetin grek. Deputeti i zonës minoritare të Dropullit, Vangjel Tavo, duke folur gjatë seancës së djeshme plenare ka prurë në vëmendje të deputetëve dhe opinionit publik se Ministria e Arsimit, megjithëse ka lidhur një marrëveshje me qeverinë greke për botimin dhe furnizimin e shkollave në zonat minoritare me libra shkollorë, në të njëjtën kohë ka shpallur tenderin me vlerë prej 560 milionë lekësh për përkthimin, shtypjen, shpërndarjen dhe rimbursimin e tyre. Kjo, sipas Tavos, përbën një rast flagrant ku ministria dhe titullarët e saj, nga njëra anë ia kanë dhënë të drejtën e botimit dhe shpërndarjes pa asnjë lloj detyrimi financiar palës greke dhe, nga ana tjetër, përcaktojnë shuma të konsiderueshme lekësh nga fondet publike për përballimin e kësaj skeme. “Është pafytyrësi e zotit Ministër përpjekja për të fshehur korrupsionin e tij prej 560 milionë lekësh për librat e minoritit. Unë e theksova se nuk bëhet fjalë për librat e shkencave ekzakte por bëhet fjalë edhe për librat e shkencave shoqërore. Janë 34 tituj librash të botuara nga Ministria e Arsimit, në Fletoren Zyrtare, Numër 21, më datën 22 shkurt 2008”, - tha Tavo. Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i vetë ish-ministrit të Arsimit, sot zëvendëskryeministër, Genc Pollo, i cili duke hedhur poshtë akuzat e ngritura ndaj tij, ka sqaruar termat e marrëveshjes së arritur me palën greke për përkthimin, botimin dhe shpërndarjen e teksteve për shkollat në zonën e minoritetit grek. Kështu, ai ka bërë të ditur se bëhet fjalë për një marrëveshje të detyruar për palën shqiptare, pasi ajo nuk kishte mundësi që të siguronte një përkthim profesional dhe cilësor të teksteve shkollore nga gjuha shqipe në gjuhën greke. Por, ka sqaruar Pollo, nuk bëhet fjalë për të gjitha tekstet që përdoren në një shkollë në Shqipëri, por vetëm për ato të lëndëve të shkencave të natyrës dhe për të cilat qeveria shqiptare nuk paguan asnjë lek. “Ajo që është për të ardhur keq nga gjithë ajo që deklarohet në këtë sallë, është pretendimi se Ministria e Arsimit i ka kërkuar palës greke, pasi ka arritur marrëveshjen, t’i marrë fondet për ta bërë vetë këtë punë. Kjo nuk është e vërtetë, se kërkon një marrëveshje bilaterale financiare, gjë që nuk ekziston. E dyta, ne nuk i kemi ato kapacitete për t’i bërë këto përkthime, dhe jo se nuk kishim fonde”, - tha Pollo. Ndërkohë, ai ka bërë të ditur se librat e lëndëve shoqërore vazhdojnë të shtypen dhe shpërndahen nga Ministria e Arsimit, duke iu nënshtruar skemës së rimbursimit njësoj si për të gjithë nxënësit e tjerë në të gjithë Shqipërinë. Zëvendëskryeministri ka sqaruar në këtë drejtim se, për shkak të numrit të pakët të nxënësve minoritarë, kostoja e një libri të lëndëve shoqërore për këto zona është shumë e madhe, kosto që duhet ta përballojë kryesisht qeveria shqiptare. “Në praktikën që ndjek Ministria e Arsimit për botimin dhe shpërndarjen e librit nuk ekziston më termi “tender”. Në qoftë se për tekstin e Fizikës për Klasën e 7 kostoja dhe pastaj çmimi i bie 7 mijë lekë të vjetra, për shkak të numrit të pakët nxënësve në minoritet, kostoja dhe çmimi shkon 100 mijë lekë të vjetra. Në rast se një prind i një nxënësi në Tiranë do të marrë këtë libër 7 mijë lekë, ai do të kompensohet 4 mijë lekë dhe 3 mijë do t’i paguajë nga xhepi, ndërkohë ai i minoritetit, për shkak të kostos së madhe, i bie të paguajë 100 mijë. Prandaj ai do të marrë nga shteti 97 mijë lekë dhe do të paguajë vetëm 3 mijë lekë nga xhepi në mënyrë që të ketë njëjtën kosto sociale, si çdo fëmijë tjetër në të gjithë Shqipërinë. Për këtë arsye, fondi që është lënë i veçantë për këtë çështje, për politikat e minoritetit, është në masën e 60 mijë eurove”, - sqaroi Pollo. Ndërkohë ish-ministri socialist i Arsimit ka akuzuar qeverinë e sotme se me politikat që po ndjek me shkollat në zonat minoritare, po favorizon greqizimin e zonës dhe po u lë mundësi elementëve grekë që të hapin shkolla private greke që nuk kontrollohen nga shteti ynë.