E Shtunë, 31 Tetor 2026

OMONIA kërcënon për Bollanon: PBDNJ do rishohë qëndrimin ndaj maxhorancës

 

SHPRESA DINE / SARANDE

PBDNJ do të rishikojë mbështetjen që i jep qeverisë. Ky ka qenë reagimi i organizatës së minoritetit grek “Omonia”, pas seancës së fundit gjyqësore në Vlorë, ku prokuroria e këtij rrethi kërkoi një vit burg për kreun e Bashkisë së Himarës, Vasal Bollano, i cili akuzohet për heqjen e tabelave shqip në aksin rrugor Llogara-Qeparo. Nëpërmjet një njoftimi për shtyp, organizata “Omonia” kritikon qëndrimin e qeverisë shqiptare, e cila sipas saj po hesht ndaj sulmit që po i bëhet Bollanos, që në të njëjtën kohë është edhe kryetar i kësaj organizate. “Heshtja absolute që mban qeveria shqiptare, ndonëse është në dijeni të thelbit real të çështjes, e bën atë bashkëfajtore. Pas këtyre “Omonia”, në mbledhjen vijuese të organeve të saj që do të mbahet shumë shpejt, ka për të rishikuar çështjen e mbështetjes që i jep qeverisë nëpërmjet PBDNJ-së”, thuhet në komunikatën për shtyp. Në të njëjtën kohë, “Omonia” thekson se pretenca e prokurorit të Vlorës, e cila kërkon dënimin me një vit burg të Bollanos, provokon ndjenjat e pjesëtarëve të minoritetit grek në Shqipëri. “Autoritetet e gjyqësorit të Vlorës prej disa vitesh vazhdojnë një serial qesharak me agresivitet që objekt ka jo vetëm z. Bollano, por komunitetin helen të Himarës dhe minoritetin etnik grek në Shqipëri, më në përgjithësi. Përbëjnë sulme kundër demokracisë, vullnetit të lirë të qytetarëve dhe cenojnë kredibilitetin e traumatizuar të drejtësisë në vend”, vijon më tej deklarata e “Omonia”-s. Për të disatën herë kjo organizatë është vënë në qendër të vëmendjes pas veprimesh që kanë shkaktuar polemika të kryetarit të saj, njëherësh kryetar i bashkisë së Himarës, Vasil Bollano. Për herë të fundit kjo organizatë u përplas me qeverinë shqiptare në muajin dhjetor, kur i dërgoi një letër parlamentit grek, ku i bënte thirrje të mos ratifikonte Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit mes Shqipërisë dhe Greqisë deri sa Tirana zyrtare të njohë Vorio-Epirin. “Të njihen zyrtarisht si zona të minoritetit, ato zona të cilat pala shqiptare nuk i njeh të tilla, si për shembull, Saranda, Gjirokastra, Himara, Delvina, Korça si dhe 99 fshatra përreth tyre”, kërkoi “Omonia” para ratifikimit të MSA-së. Lidhur me këtë memorandum të kësaj organizate, reagoi edhe Kryeministri Sali Berisha. Ai e quajti këtë qëndrim si një klithmë ekstremiste, që nuk do të merret në konsideratë nga Athina zyrtare. “Qeveria greke nuk ndikohet nga klithma ekstremiste ngado që t`i shkojnë ato. Është një qeveri demokratike, një qeveri që punon dhe ka faktuar se punon për marrëdhënie miqësore dhe normale me Shqipërinë dhe vende të tjera të rajonit”, u shpreh Kryeministri Berisha. Kreu i Ekzekutivit deklaroi se të drejtat e minoritetit grek në Shqipëri kanë përbërë për qeverinë shqiptare një përmirësim madhor dhe ka shumë vendime, të cilat nuk janë marrë nga vende të tjera të rajonit, siç janë marrë nga Shqipëria në favor të minoriteteve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›