E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria, kritika pushtetit vendor

Kryeministri Berisha ka lëshuar dje një lumë kritikash në adresë të bashkive dhe komunave. Prokurimi elektronik ka qenë molla e sherrit që ka pozicionuar kundër kreun e qeverisë ndaj pushtetit vendor. Kryeministri ka urdhëruar ministrin e Financave të monitorojë bashkitë dhe komunat për zbatimin e procesit të prokurimit elektronik. Sipas Berishës, në rast se bashkitë dhe komunat nuk e zbatojnë këtë urdhër, atëherë ministri Bode do të ketë të drejtën e rialokimeve të fondeve. "Qeveria i jep kësaj ministrie të drejtën e rialokimeve dhe të heqjes së fondeve, pasi nuk mund të pritet pa shkak, sepse nuk bëhet procesi i prokurimit elektronik", tha Berisha. Në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave, Kryeministri Berisha tërhoqi vëmendjen e pushtetit vendor dhe të gjitha enteve kontraktuese, që të zbatojnë me përpikmëri vendimin për të proceduar vetëm me prokurimet elektronike. Kryeministri theksoi se viti 2009 është viti i prokurimeve elektronike, duke nënvizuar se nuk do të mund të ketë në mënyrë absolute asnjë lloj prokurimi tjetër, përveç atyre elektronike në Shqipëri.

"Ky është viti i prokurimeve elektronike. Vihen re disa tendenca në qeveritë vendore që hezitojnë për të proceduar me këtë mënyrë elektronike. Dua t‘u bëj të qartë qeveritarëve vendorë të Shqipërisë se, në mënyrë absolute, nuk do të mund të ketë asnjë lloj prokurimi tjetër përveç atyre elektronikë", u shpreh Kryeministri. Ai theksoi se prokurimet elektronike janë tashmë të përcaktuara me ligj dhe ky vendim është i pandryshueshëm. Gjithashtu, Kryeministri vuri në dukje se vendimi është i vlefshëm jo vetëm për qeveritë vendore, por për të gjitha entet kontraktuese, duke nisur nga Kryeministria e deri në komunën më të largët të vendit. "Qeveria i ka marrë të gjitha masat për të rritur në shkallën më maksimale kapacitetet e sistemit elektronik të prokurimeve", u shpreh Kryeministri, ndërsa kërkoi nga ministrat që të mbledhin urgjentisht autoritetet dhe entet e tyre përgjegjëse për prokurimet dhe t‘i vendosin në pozita pune.

Kryeministri siguroi se buxheti i shtetit është totalisht disponibël në këtë drejtim, ndaj nuk do të ketë formë tjetër prokurimesh, përveç atyre elektronike.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›