"Akuzat tymnajë, nuk u votua se mungoi kuorumi"
Një tymnajë qesharake. Të tillë e cilësoi sekretari i përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, debatin për votën e këshilltarëve të Bashkisë së Korçës. "Në Bashkinë e Korçës, apo në Këshillin Bashkiak të saj, nuk ka pasur asnjë votim për arsyen e thjeshtë, se nuk është arritur kuorumi, më thjesht numri i nevojshëm i pjesëmarrësve, i këshilltarëve për votim, për arsye se këshilltari i Aleancës Demokratike, që bën pjesë në grupin e majtë, nuk mori pjesë në votim", sqaroi Vasili. Duke qenë se e majta dhe e djathta janë në raport 18 me 17, shtoi ai, kuptohet qartë se mungesa e këtij këshilltari e bëri të pamundur procesin e votimit ligjërisht. "E vërteta është se këshilltarët e LSI-së në këtë bashki kanë votuar ‘pro‘ këtë projektbuxhet në Komisionin e Financave, ku ai përgatitej për të kaluar në seancë plenare dhe nuk kanë pasur asnjë qëndrim të ndryshëm politik nga pjesa tjetër e grupit të majtë dhe falë qëndrimit të këshilltarëve të LSI-së, ky projektbuxhet ka kaluar në seancë", nënvizoi Vasili. Duke iu referuar buxhetit të kryeqytetit, zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Pone, njëkohësisht kryetar i grupit të këshilltarëve demokratë, akuzoi bashkinë për mungesën e transparencës. "16 milionë euro janë ende pa asnjë destinacion. Të gjitha programet janë të palistuara për t‘u miratuar", u shpreh Pone.