"Meta e Berisha rrëzuan interesat e qytetarëve"
Lajmi për mosvotimin e buxhetit të Bashkisë së Korçës shkaktoi reagimin e drejtuesve të Partisë Socialiste. "Pas Tiranës, edhe Korça bëhet peng i interesave të oborrit të Ilirit dhe Monikës. Edhe në Korçë, Ilir Meta grisi kontratën e 18 shkurtit 2007 dhe riktheu vitin 2005, duke na treguar edhe një herë se mes PS dhe PD ai ka zgjedhur Berishën, njësoj si në 2005", akuzoi Kodheli. Mes nevojave të qytetarëve e mllefit politik, tha ajo, Meta ka zgjedhur politikën e mllefit si në 2005. Kodheli i bëri thirrje socialistëve që me idealizëm e pasion e ndoqën mbrapa Ilirin në 2005, që të kuptojnë se sot është dita e bashkimit të ri për të ardhmen dhe e ndarjes me politikën e dasive të vjetra të së shkuarës. Sakaq, nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Eduard Shalsi, reagoi dje pas deklaratave të zëvendësministrit të Punëve Publike. "Vazhdon shpalosja e injorancës dhe keqdashjes që burojnë prej batakut të politikës së vjetër ku llokoçiten qoftë Kryeministri me partinë e tij e qoftë Ilir Meta me oborrin e tij privat", u shpreh Shalsi. Lëvizja "Mjaft!" deklaroi dje se në rastin e Korçës, përfaqësuesit politikë të pozitës dhe opozitës, nuk u treguan aq qytetarë sa t‘u shërbenin interesave të qytetit dhe qytetarëve të Korçës. "Interesat e ngushta partiake edhe një herë dominuan mbi interesat e qytetarëve", theksohet në këtë qëndrim.