E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Akuzon qeverinë se po abuzon me projektin

Nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së, Erjon Braçe, kërkoi dje hetim nga drejtësia shqiptare në lidhje me një projekt të Bankës Botërore, të ndërmarrë për zonën e Jalës.

Duke folur për një raport të kësaj banke, Braçe, denoncoi veprimet e kryera në kundërshtim me direktivat e drejtuesve të këtij projekti. Në fjalën e tij në Kuvend, numri dy i grupit të PS-së theksoi se "qeveria dhe përfaqësuesit e saj kanë gënjyer në shërbim të interesave klienteliste. Institucionet e drejtësisë në Shqipëri duhet t‘i shkojnë deri në fund kësaj çështjeje". Por deklarata e nënkryetarit të grupit të PS-së është kundërshtuar nga ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, i cili theksoi se raporti për të cilin Braçe pretendon se është i Bankës Botërore, është i një zyre, e cila ende nuk ka marrë formën e vet përfundimtare. Sipas Olldashit, projekti për Jalën është projekti më transparent, më i diskutuar, me komunitetin, me pushtetin lokal atje. Qëllimi ynë, tha ministri i Transporteve, është realizimi i një projekti, i përkrahur nga të gjithë. Ministri ka akuzuar PS-në se në kohën e saj, ka pasur një plan klientelist për këtë zonë, i cili favorizonte vetëm interesat e grupeve të caktuara. Sipas ministrit, në periudhën 2004-2007, janë ndërmarrë qindra prishje të ndërtimeve pa leje në zonën bregdetare, në Dhërmi, Himarë, Jalë, Qeparo, Sarandë, Ksamil, Golem, Velipojë, Spille, Gjiri i Lalëzit, Shëngjin etj., si detyrim i patjetërsueshëm i qeverisë shqiptare për zbatimin me përpikëri të ligjit në të gjithë territorin e vendit dhe në mënyrë të barabartë ndaj kujtdo.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›