Qeveria kufizon garën për tenderat publikë
Ekzekutivi e jusitifikon ndryshimin me nxitjen e investimeve dhe përshpejtimin e punimeve nga kompanitë
Firmat e ndërtimit që kanë fituar një tender, nuk mund të garojnë në projekte tjera pa përfunduar 70% të vlerës
Kompanitë e ndërtimit nuk do të kenë të drejtë të hyjnë në tendera për ndërtimin e veprave publike, nëse për momentin kanë fituar një të tillë dhe nuk kanë përfunduar deri në 70 për qind të kontratës.
Qeveria miratoi dje një ndryshim në vendimin që parashikojnë procedurat dhe kriteret për kompanitë që operojnë në sektorin e ndërtimit, ndryshim i cili nuk lejon kompanitë të hyjnë në gara për tendera publikë, nëse kanë fituar një të tillë dhe nuk kanë përfunduar pjesën më të madhe të kontratës.
Qeveria e argumentoi këtë ndryshim si një domosdoshmëri për të nxitur firmat e ndërtimit të investojnë në teknologjitë e tyre, si dhe të eleminojnë vonesat dhe zgjatjet e punimeve në projektet publike.
"Subjektet e licencuara në zbatim nuk mund të kualifikohen si fituese për punë publike, të prokuruara sipas ligjit të prokurimit publik, nëse janë fituese apo kanë në proces, në të njëtën kohë, si kontraktor/nënkontraktor një investim sipas një kontrate të lidhur/apo në proces për t'u lidhur sipas ligjit për prokurimin publik, në të njëjtin autoritet kontraktor, me vlerë të përbashkët ose të veçantë, që tejkalon 70 për qind të vlerës së kategorisë, që mban subjekti",- thuhet në vendimin e ndryshuar të miratuar dje në Këshillin e Ministrave.
Kryeministri Berisha tha se kjo nuk bëhet për të ndëshkuar kompanitë shqiptare të ndërtimit, por si një obligim që ato të investojnë në të gjitha drejtimet. "Kompanitë duhet të fuqizojnë kapacitetet, të blejnë makineri, të fuqizojnë stafet dhe të zmadhohen. Kjo është besim.
Nga një anë, mund të duket si kufizim, por absolutisht nuk synon atë, përkundrazi. Për këtë duhet të bëjmë transparencën. Ne filluam ta ndajmë rrugën me lote dhe po marr rastin e rrugës Fushë Krujë-Milot që u nda në 8 lote dhe sërish e njëjta situatë, pasi çojnë dy fadroma në një vend, tre makineri në një vend tjetër.
E studiuam praktikën e loteve dhe pamë që edhe kjo praktikë përfundoi në labirintet e plogështisë. Kjo është e hidhur, pasi vendi ka nevojë për rrugët",- tha Berisha. Sipas tij, kjo bëhet për të fituar kohën e humbur, duke shpresuar në mirëkuptimin e ndërtuesve shqiptarë.
"Ne kemi qenë mirëkuptues, duke shpresuar se ata do të shumëfishonin kapacitete, por kanë kaluar tre vjet dhe ndonëse kanë bërë një punë të madhe, nuk janë në nivelin ku duhet të ishin. Ne kemi qenë shumë mirëkuptues, kooperues me to, por koha është e shqiptarëve dhe ne duhet të bëjmë çdo gjë për të mbrojtur kohën e tyre.",- tha ai në mbledhjen e qeverisë.
Sipas ndryshimit të miratuar dje, kompanitë e ndërtimit kanë të drejtë të marrin pjesë apo të shpallen fituese në prokurime publike, në të njëjtin autoritet kontraktor, brenda së njëjtës periudhë, kur projekti arrin deri në 70 për qind të vlerës së kategorisë së licencës të përcaktuar. Në rastet kur kompanitë e shkelin këtë vendim, duke marrë pjesë në gara që tejkalojnë 70% të vlerës , atëherë kontrata do t'u shpallet e pavlefshme, si dhe do të përgatiten procedurat për heqjen e licensës.
Ndryshimi
"b) Subjektet e licencuara në zbatim nuk mund të kualifikohen si fituese për punë publike, të prokuruara sipas ligjit të prokurimit publik, nëse janë fituese dhe/apo kanë në proces, në të njëtën kohë, si kontraktor/nënkontraktor një investim sipas një kontrate të lidhur/apo në proces për t'u lidhur sipas ligjit për prokurimin publik, në të njëjtin autoritet kontraktor, me vlerë të përbashkët ose të veçantë, që tejkalon 70 për qind të vlerës së kategorisë, që mban subjekti sipas lidhjes 4.
Subjektet e licencuara kanë të drejtë të marrin pjesë/apo të shpallen fituese në prokurime publike, në të njëjtin autoritet kontraktor, brenda së njëjtës periudhë, deri në 70 për qind të vlerës së kategorisë së licencës të përcaktuar sipas lidhjes 4. Në kuptim të kësaj shkronje, fjala "periudhë" nënkupton kohëzgjatjen e investimit të kryer, sipas ligjit për prokurimin publik, nga çasti i shpalljes fitues deri në kolaudimin e objektit/investimit.
Agjencia e Prokurimit Publik dhe autoritetet kontraktore, sipas ligjit për prokurimin publik, hartojnë dokumentet standarde të tenderit dhe dokumentet e tenderit në përputhje me këtë rregullore dhe garancitë e përcaktuara në rregullore me detyrimin që, kur verifikohet se subjekti përfshihet në investime, që tejkalojnë 70 për qind të kategorisë së licencuar sipas lidhjes 4, në autoritete kontraktore kontrata të shpallet absolutisht e pavlefshme, me detyrimin për njoftim për nisje të procedurës për heqje licence.".