Qeveria 'kursimtare' e milionerëve

Web-faqja në të cilën ministrat e qeverisë së Mario Montit, por edhe vetë ai, publikuan të dhënat për pronat dhe fitimet e tyre tërhoqi vërejtjen e aq shumë shtetasve italianë saqë u bllokua plotësisht për shkak të vizitorëve të shumtë.
Të mërkurën italianët e kuptuan se pjesë e Kabinetit Monti janë shumë milionerë, por edhe adhurues të motorëve Harley Davidson dhe veturave Jaguar, vlerëson gazeta ‘The Guardian’.
"Shpresojmë se publikimi i kartelave të pasurisë do të bëhet një veprim detyrues për secilin politikan”, deklaroi Vincenzo Smaldore, nga organizata joqeveritare Open Police, e cila lufton për raporte transparente brenda politikës italiane.
Sipas dokumentit, rrogën më të madhe e ka ministrja e Drejtësisë, Paola Severino, e cila vetëm vitin e kaluar ka fituar 7 milionë euro.
“Jam krenare, sepse paratë i fitojë legalisht dhe i paguaj të gjitha tatimet, deri në euron e fundit”, tha Severino, e cila në emër të tatimeve vitin e kaluar ka paguar afro 4 milionë euro. Sivjet rroga e saj ministrore do të jetë 195,000 euro.
I dyti më i pasuri në qeveri është Corrado Passera, ministër aktual i Zhvillimit Ekonomik dhe ish-shef i bankës italiane Intesa Sanpaolo. Ai fitonte nga 2.5 milion euro para se të hynte në qeveri.
Përveç motorit Harley Davidson, veturës Jaguar dhe një jahti, ministri i Jashtëm Giulio Terzi di Sant'Agata (65) në parkun e tij të automjeteve ka edhe disa vetura ‘pak më modeste’ japoneze dhe italiane.
Ndërkaq, përderisa zëvendëskryeministri vozitë një Vespa, kurse ministri i Ambientit, Corrado Clini, një Fiat 500, i dërguari i kryeministrit Monti për marrëdhënie me parlamentin, Piero Giarda, posedon 10 parcela të vlefshme, kryesisht në Alpe.
Ministrat e tjerë qetësinë e tyre e kanë blerë në formë patundshmërish në New York, Bruksel, Paris, apo nëpër qytet e shumta italiane. Ministri më i varfër në qeveri është ai i Bashkëpunimit Ndërkombëtar, Andrea Riccardi, i cili në vitin 2011 fitoi “vetëm” 120,309 euro.
Mirëpo italianëve më së shumti iu interesoi kartela pronësore e kryeministrit Monti, e cila u zbuloi atyre afinitetin e tij për patundshmëri. Në fakt, kreu i qeverisë teknokrate të Italisë del të jetë pronar i plot 16 shtëpive dhe banesave.
Ndryshe, Monti tashmë ka mbushur 1000 ditët e para në krye të Qeverisë së Italisë. Brenda këtij afati të shkurtër profesori i ekonomisë filloi me realizimin e reformave, të cilat kanë filluar të japin rezultatet e para pozitive. Revista Times që tani e ka përzgjedhur si mashkullin më të fuqishëm evropian.