E Diel, 1 Nëntor 2026

Vazhdojnë bisedimet Kosovë-Serbi, ende pa marrëveshje

Ka vazhduar edhe gjatë pasdites raundi i dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel, ndërsa palët ende nuk kanë arritur marrëveshje për temat që po diskutohen: bashkëpunimi rajonal dhe zbatimi i marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufirit.

Burime nga Brukseli bëjnë me dije se palët janë afruar në qëndrime, por ende nuk ka marrëveshje të plotë.

Disa diplomatë deklarojnë se konsultimet nuk po zhvillohen vetëm në Bruksel, por edhe mes Prishtinës dhe kryeqyteteve evropiane sikurse edhe mes Beogradit dhe kryeqyteteve evropiane.

Ndonëse nuk ka konfirmim zyrtar, thuhet se ende nuk është arritur pajtimi për formulimin e fusnotës, me të cilën do të paraqitej Kosova në nismat rajonale.

Mësohet gjithashtu se po shqyrtohen mundësi të ndryshme se si mund të formulohet ajo, por e sigurt është se do të ketë referenca në Rezolutën 12 44 dhe në mendimin këshilldhënës te Gjykatës Ndërkomëbatre të Drejtësisë.

Ndërkohë edhe sot shefja e delegacionit kosovar, Edita Tahiri, i është shmangur gazetarëve, duke hyrë në ndërtesë, jo nga dera kryesore, nëpër të cilën hyjnë delegacionet, por përmes një hyrje tjetër.

Ndërkaq shefi i delegacionit serb, Borko Stefanoviç, ka thënë se Serbia do të “bëjë çmos që të arrihet marrëveshja për bashkëpunimin rajonal”, por gjithnjë duke respektuar "Kushtetutën e Serbisë, Rezolutën 12 44 dhe interesat kombëtare serbe.”

Ai ka thënë se edhe gjatë ditës së djeshme pala serbe ka qenë më konstruktive, por sipas tij, pala kosovare ka këmbëngulur në disa çështje të papranueshme për Serbinë.

Po kështu në Bruksel, raportohet për intensifikim të konsultimeve për t`i dhënë Serbisë statusin e kandidatit.

Disa shtete, si Franca, Italia dhe Austria kanë kërkuar nga shtetet tjera që t`i japin Serbisë statusin e kandidatit, me qëllim që të rikonfirmohet vazhdimi i procesit të zgjerimit.

Marrëveshja për bashkëpunim rajonal, përkatësisht mënyra se si Kosova do të përfaqësohet në nismat rajonale, ka qenë një ndër pikat më të nxehta të këtij raundi të dialogut, pasi nga arritja e kësaj marrëveshjeje dhe zbatimi i atyre të realizuara më përpara, varet edhe kandidatura e Serbisë.

Pala kosovare është pajtuar që të shkojë me formulën e përmendjes së Rezolutës 12 44, Deklaratës së GJND-së dhe Deklaratës së Pavarësisë.

Por, Beogradi zyrtar, ndërsa pajtohet me dy të parat, hedh poshtë përmendjen e Deklaratës së Pavarësisë në fusnotë.

Ka qenë pikërisht kjo cështje shkak i ndërprerjes së bisedimeve në fund të vitit të kaluar.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›