E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria lehteson bizneset heq TVSH-ne per makinerite qe importohen

Qeveria lehtëson bizneset, duke hequr taksën e TVSH-së për të gjitha ato makineri që importohen dhe si të tilla janë të destinuara për investime.
Heqja e TVSH për importin e pajisjeve do të jetë e kufizuar. Këtë të drejtë e kanë biznesi vendas dhe i huaj, por me kriterin e investimit të shumave nga 50 milionë lekë e sipër.

Me qëllim që të shmanget procedura e shtyrjes së pagesës së TVSH në import dhe të ulet kërkesa për rimbursim pranë administratës tatimore, në shuma të konsiderueshme, Ministria e Financave propozon që në rast të investimeve mbi vlerën prej 50 milionë lekësh, makineritë dhe pajisjet të përjashtohen nga pagesa e TVSH në import”, thuhet ne draftin e pergatitur nga ministria e financave. Procedura e përjashtimeve do të përcaktohet me Vendim të Këshillit të Ministrave dhe do t’u akordohet vetëm makinerive dhe pajisjeve që janë direkt të lidhura me investimin..

Synimi i këtij projektligji është përjashtimi nga pagesa e TVSH-se, në doganë, për importimin e makinerive dhe pajisjeve, në rast të investimeve me vlerë të konsiderueshme, në dhe mbi 50 milionë lekë. Sipas Ministrisë së Financave, propozimi lidhet me uljen e kostove të investimeve të mëdha, të cilat në momentin e parë të punimeve kanë investime të konsiderueshme në makineri dhe pajisje dhe përkatësisht TVSH e paguar për importet e tyre rrit me 20 për qind koston e investimeve të tilla. Ligji hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare, por burime të shumta vlerësojnë se zbatimi i tij do të fillojë në janar të 2013-s

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›