E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ne veshtiresi bisedimet mes trojkes dhe Athines

Bisedimet mes trojkës dhe Athinës vijojnë mes shumë vështirësive. Inspektorët e BE, BQE dhe FMN dhe përfaqësuesit e qeverisë nuk po arrijnë të gjejnë një zgjidhje të përbashkët mbi paketën e re të kursimeve. Bisedimet vijojnë mbi dy pikat kryesore të konsideruara nga trojka si shumë të rëndësishme për marrjen nga ana e kreditorëve ndërkombëtarë të këstit të ndihmës, siç janë kontratat e punës në sektorin privat dhe largimet nga puna të punonjësve në sektorin publik. Sipas mediave greke trojka i është rikthyer kërkesës për reduktimin e 15 mijë punonjësve publikë brenda fundit të këtij viti pasi ka dyshime mbi efikasitetin e masës së propozuar nga ministri i Punës.  Ndër të tjera përsa i përket sektorit privat trojka kërkon një reduktim me 30% të kompensimit të punonjësve për largimin nga puna dhe kjo duke u llogaritur që nga fillimi I 2012-ës, por edhe reduktimin e periudhës së parashikuar për largim nga puna nga 6 në tre muaj. Janë pikërisht këto vështirësitë e hasura mes palëve në Athinë në bisedimet e fundit mes inspektorëve dhe ministrit të Punës greke. Ndërlikime janë regjistruar edhe gjatë bisedimeve mes tyre dhe ministrit të financave dhe të reformës administrative mbi problemin e largimeve nga puna të punonjësve të sektorit publik.   

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›