Rama mbledh Asamblenë e PS pranë kraterit të shpërthimit
Opozita sfidoi dje mazhorancën sa i takon administrimit të periudhës pas tragjedisë së Gërdecit. Kryetari i socialistëve, në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare që zhvilloi punimet në Vorë, kërkoi që një grup deputetësh të përgatisin një nismë ligjore të posaçme. Ai vlerësuar se e gjithë periudha pas tragjedisë dhe administrimi nga ana e qeverisë i këtij procesi tregon se qeveria dhe Kryeministri nuk kanë asnjë plan. "Nuk kanë asnjë ide dhe nuk kanë asnjë gjasë që të plotësojnë detyrimet e tyre karshi këtyre njerëzve", konstatoi Rama. Sipas socialistëve, qeveria ka gjithashtu një shqetësim se si të mbulojë mediatikisht vullkanin dhe nga ana tjetër se si të kapërcejë një orë e më parë me demagogji, me premtime, me shifra e gënjeshtra një moment tragjik. Ky moment, në vlerësimin e Ramës, nuk mund të konsiderohet i kapërcyer pa u zbardhur e gjithë e vërteta. "Vetëm e vërteta dhe asgjë tjetër, përveç së vërtetës! Nga ana tjetër, pa u dëmshpërblyer deri edhe banori i fundit i zonës apo sipërmarrësi i fundit për të gjitha dëmet e shkaktuara", theksoi Rama. Sipas tij, nisma ligjore është e vetmja përgjigje, që mund t‘i jepet kësaj pikëpyetjeje, që është duke u rritur mbi kokat e të gjithë atyre njerëzve që sot janë pa shtëpi. "Që sot janë të strehuar në godina të vëna në dispozicion të tyre, apo te të afërm dhe miq dhe që sot, ashtu si kundër e theksoi dje edhe ambasadori i SHBA-së, nuk mund të kthehen në këtë zonë që vazhdon të paraqesë rrezikshmëri të lartë për një sërë arsyesh", tha Rama. Kuvendi i Shqipërisë, shtoi ai, do të duhet të marrë përgjegjësinë që të miratojë nismën dhe të angazhojë ligjërisht qeverinë për t‘ju përgjigjur deri në një të gjitha nevojave financiare dhe materiale që kanë ata që u bombarduan nga qeveria. Duke ju referuar reformës zgjedhore, Rama sqaroi arsyet pse kërkohet ndryshimi i Kushtetutës përmes vendosjes së një sistemi zgjedhor proporcional rajonal me listë shumëemërore. "Na duhet një sistem i thjeshtë, gjë që përbën edhe një nga rekomandimet kryesore të OSBE-së, ODIHR-it. Një sistem i thjeshtë do të thotë një votë e garantuar nga çdo deformim, dhe nga ana tjetër, një votim, i garantuar nga çdo devijim", u shpreh Rama. Ai sqaroi se ky sistem jep një përfaqësim më në fund të balancuar në të gjithë territorin e Shqipërisë nga Veriu në Jug dhe i jep fund ndarjes në blu e në të kuqe të hartës së Shqipërisë. "Pra, do të kemi me këtë sistem deputetë përfaqësues të shumicës dhe të pakicës, në të gjithë territorin Shqipërisë", tha Rama. Kjo, argumentoi ai, i jep këtij sistemi një përparësi themelore, pasi na jep mundësi që në të gjithë territorin e Shqipërisë të kemi një pjesë që e përfaqëson zgjedhësin në qeverisje, dhe të kemi një pjesë që e përfaqëson opozitën në Kuvend. Rama shprehu besimin se ka ardhur koha që "të kalojmë nga një periudhë kur deputeti apo kandidatët për deputetë për shkak të sistemit, për shkak të mënyrës sesi ky sistem u deformua në vijimësi, u kthyen në garant punësh komunale në një sistem, ku deputeti është ndërmjetësues dhe katalizator mes një territori dhe Kuvendit e qeverisë". Pa shkuar, shtoi ai, në skajin tjetër, në një proporcional të pastër, ku do të kishim një grup deputetësh tërësisht të shkëputur nga territori. Në këndvështrimin e Ramës, ky sistem jep mundësinë që shqiptarët të kenë një program, një ekip dhe një lider, dhe këtë ta bëjnë të gjitha forcat politike. "Forcat politike duhet të peshohen në elektorat dhe jo në kandarët parazgjedhore, e as të dalin me pesha të deformuara për shkak të një sistemi si ky i sotmi, që duke lejuar të gjitha ato deformime e ka kthyer demokracinë shqiptare në një demokraci me një deformim të brendshëm, që buron nga një sistem politik tërësisht i kalbur", nënvizoi Rama.
Replika
"Me mllef s‘ka të ardhme"
Rama shprehu keqardhje që sjelljen politike të PS-së e keqkuptojnë. "Shumëkush brenda qerthullit të forcave politike e komenton si marrëveshje të fshehtë, si përpjekje për të bërë diçka të padrejtë, apo si atavizëm të së shkuarës", tha Rama. Më vjen keq, shtoi ai, sepse këto reagime janë shprehje e mllefit, e një mllefi të vjetër, në një politikë të vjetër, që nuk na çon asgjëkund, sepse mllefi nuk është filozofi dhe me mllef nuk ndërtohet e ardhmja. "Më shumë se sa keqardhje, ne nuk kemi asgjë më shumë në adresë të refraktorëve të këtij procesi, që për ne është një proces i hapur, është një proces transparent", u shpreh kreu i PS-së.
Replika
"Me mllef s‘ka të ardhme"
Rama shprehu keqardhje që sjelljen politike të PS-së e keqkuptojnë. "Shumëkush brenda qerthullit të forcave politike e komenton si marrëveshje të fshehtë, si përpjekje për të bërë diçka të padrejtë, apo si atavizëm të së shkuarës", tha Rama. Më vjen keq, shtoi ai, sepse këto reagime janë shprehje e mllefit, e një mllefi të vjetër, në një politikë të vjetër, që nuk na çon asgjëkund, sepse mllefi nuk është filozofi dhe me mllef nuk ndërtohet e ardhmja. "Më shumë se sa keqardhje, ne nuk kemi asgjë më shumë në adresë të refraktorëve të këtij procesi, që për ne është një proces i hapur, është një proces transparent", u shpreh kreu i PS-së.