E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Qeveria, luftë të hapur Gjykatës Kushtetuese”

Autori i Lajmit: red.
Lëvizja Socialiste për Integrim kritikon qëndrimin e Qeverisë ndaj Gjykatës Kushtetuese. Zëvendëskryetari i LSI-së, Pëllumb Xhufi, pohoi dje se pas destabilizimit të institucionit të Prokurorisë, me ligjin dhe me presionet politike mbi këtë institucion, qeveria Berisha ka nisur kështu betejën për të kapur ose për të shpartalluar edhe repartin e fundit të sistemit të Drejtësisë, Gjykatën Kushtetuese. “LSI denoncon ashpër këtë revansh të qeverisë Berisha kundër institucioneve dhe kundër vetë shtetit të së drejtës, që nisi me ndryshimet kushtetuese dhe që po detajohet tani në goditjet një për një, kundër organeve kushtetuese. LSI denoncon ashpër të gjithë ata që iu bashkuan qeverisë Berisha në këtë vepër shkatërrimtare, që po e çon përsëri vendin drejt dilemës: demokraci apo diktaturë”, - tha ai. Xhufi theksoi se presionet e fundit mbi Gjykatën Kushtetuese e mbi anëtarë të veçantë të saj, synojnë fillimisht që në pritje të shqyrtimit të Ligjit për pastërtinë e figurave, ta paralizojnë këtë strukturë për të mundësuar kështu zbatimin e këtij ligji, tërësisht antikushtetues. Sipas tij, më kot zëdhënësit mekanikë të Berishës përpiqen të gjejnë argumente e precedentë nëpër botë, për të goditur Gjykatën Kushtetuese dhe për të justifikuar zbatimin e ligjit në fjalë në një kohë kur edhe përfaqësuesi i KE-së, Terri Dejvis, tha se ky ligj duhet ribërë. Xhufi e quajti këtë proces si një provë zjarri për Kushtetuesen, ndërsa theksoi se kjo gjykatë ka përgjegjësinë historike jo për të mbrojtur veten e saj, por ligjin, Kushtetutën dhe shtetin e së drejtës. Xhufi pohoi më tej se LSI, ashtu si PS, do të kërkojë që ligji i dosjeve të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese, ndërsa pohoi se komentet e mazhorancës për konflikte interesi janë vetëm mjete për të ndaluar punën e kësaj strukture të rëndësishme të mbrojtjes së Kushtetutës. “LSI do të ndërmarrë të gjitha iniciativat politike për të bërë të dështojë edhe kjo tentativë për kapjen e Gjykatës Kushtetuese”, - theksoi numri dy i kësaj partie.

Ky lajm është publikuar: 20/01/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›