E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: “KQZ, jo prioriteti ynë”

Autori i Lajmit: Suela Topi
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk është prioriteti i Partisë Socialiste. Ky pohim është bërë dje nga kryetari i selisë rozë, Edi Rama. Sipas tij, tri çështjet më të rëndësishme për opozitën aktualisht janë: regjistri elektronik, nga i cili duhet të pastrohen të paktën 100 mijë dublikime, listat zgjedhore dhe kartat e identitetit. Kryesocialisti Rama i bëri thirrje Qeverisë të pastrojë regjistrin elektronik nga çdo dublikim, në mënyrë që të evitohen problemet e hasura dhe në zgjedhjet e kaluara. Ndërkohë që kreu i selisë rozë pohoi se po kaq problematike janë dhe kartat e identitetit. Ai i kërkoi Këshillit të Ministrave që të nxjerrë një tjetër vendim ku të përcaktojë që të parët që duhet të pajisen me karta identiteti do të jenë ata që nuk kanë pasaporta. Në këtë mënyrë, sipas Ramës, do të krijohet mundësia që çdo shqiptar të mund të votojë me pasaportë apo kartë identiteti. Ai kërkoi gjithashtu ngritjen e një komisioni parlamentar ad hoc për të monitoruar përgatitjen e administratës zgjedhore.
Prioritetet
“Problemi themelor i këtyre zgjedhjeve është infrastruktura zgjedhore, regjistër, lista, karta. Të gjitha të tjerat janë të zgjidhshme. Na duhet një regjistër i pastruar përfundimisht nga emrat e dublikuar, që zyrtarisht, sipas Ministrisë së Brendshme, janë rreth 100 mijë. Na duhen lista të bazuara mbi këtë regjistër të pastruar, në mënyrë që të mos kemi më, problemet e shumta dhe çoroditëse, për zgjedhësit, të zgjedhjeve të shkuara”, - tha Rama dje, duke kaluar në plan të dytë ngritjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Ligjërisht KQZ duhet të ngrihet deri në datën 28 janar, ndërkohë që Konferenca e Kryetarëve nuk e përfshiu atë në punimet 3-javore të Kuvendit që fillojnë nga data 19 janar deri më 5 shkurt. Rama shtoi më tej se një tjetër prioritet duhet të jetë pajisja me karta identiteti të rreth 740 mijë qytetarëve e qytetarëve që nuk kanë pasaportë. “Përderisa Kodi Zgjedhor e përcakton si prioritet pajisjen me kartë të zgjedhësve pa pasaportë dhe përderisa zgjedhësit që kanë pasaportë mund të votojnë me pasaportë, nuk ka asnjë arsye që ky proces të mos ndahet në dy pjesë, duke pasur parasysh që koha deri më 28 qershor është e ngushtë dhe nuk mundëson pajisjen me karta të të gjithë shtetasve”, - sqaron Rama. Sipas tij, ndarja e procesit në dy pjesë, do të bëjë të mundur që të gjithë të kenë të drejtën për të votuar dhe ku askush të mos pengohet për të votuar për shkak të mungesës së kartës. Rama shtoi se, nëse ky proces nuk ndahet në dy pjesë, për shumë nga ata që nuk kanë pasaportë, bëhet e pamundur që të kenë karta identiteti, sepse në sportele dynden që të gjithë, pa asnjë lloj plani, kalendari dhe asnjë lloj arsyetimi mbi të dhënat kohore që kemi, që na detyrojnë të kemi një qasje selektive që përcakton edhe Kodi Zgjedhor. “Jo më kot, ne kemi kërkuar që kjo të vendoset në Kodin Zgjedhor. Kështu që është momenti, që Këshilli i Ministrave të fokusohet seriozisht dhe të luajë një rol serioz në këtë proces, ku ka edhe përgjegjësinë e drejtpërdrejtë ligjore dhe kushtetuese, por edhe mekanizmat përmes të cilave mund ta udhëheqë dhe koordinojë gjithë procesin, së bashku me strukturat e tjera qendrore dhe vendore”, - theksoi ai. Kryesocialisti kritikoi ndërkohë Qeverinë për mungesë të një kalendari apo objektivi të qartë në lidhje me shpërndarjen e kartave të identitetit. Ai theksoi se në më pak se 5 muaj nga nisja zyrtare e fushatës, nuk është shpërndarë asnjë kartë identiteti. “Çfarë mund të presim deri më 28 qershor nga procesi kur deri sot kanë aplikuar 20 mijë persona, ndërsa kanë mbetur vetëm 150 ditë pune dhe mund të numërohen mbi 3 milionë votues?” - tha ai, ndërsa shtoi se vonesa dramatike e këtij procesi gjatë gjithë këtij mandati të dështuar qeverisës, i ka sjellë gjërat vërtet në buzë të humnerës dhe ka bërë që këto zgjedhje historike për Shqipërinë e përfshirë në angazhime të mëdha me familjen euroatlantike, të kërcënohen shumë seriozisht në standardet e tyre.

Ky lajm është publikuar: 20/01/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›