Velipojë, prishen ndërtimet pa leje, akuza e pronarëve: Ka preferenca
Shkatërrimi për t’i hapur rrugë kolektorit. Në listën e publikuar nga komuna e Velipojës janë 165 objekte që do prishen pjesërisht ose dhe tërësisht. Pronarët akuzojnë se prishjet po bëhen në bazë preferencash
Shkodër-Inspektorati Ndërtimor Kombëtar ka nisur një aksion për prishjen e ndërtimeve pa leje në plazhin e Velipojës. Dje në ditën e parë të këtij aksioni, fadromat kanë shembur rreth 20 ndërtesa, kryesisht dyqane dhe mure rrethuese. Komuna Velipojë prej ditësh ka bërë publike emrat e personave që kanë ndërtime në plazh, të cilat do prishen me qëllim që t’i hapet rrugë projektit për kolektorët e zonës së plazhit. Në listën e publikuar nga komuna e Velipojës janë 165 objekte që do prishen pjesërisht ose dhe tërësisht. Ndërkohë, disa ndërtues kanë denoncuar sipas tyre prishje selektive edhe pse nuk ka veprime për të kundërshtuar aksionin.
Në disa prej tyre kanë qenë vetë pronarët që kanë nisur të bëjnë prishjen e tyre, ndërsa mjetet e Inspektoratit kanë ndërhyrë aty ku ndërtimet janë të tilla që kërkojnë ndërhyrje me mjete të veçanta. "Ne jemi të vendosur që të krijojmë të gjitha kushtet për realizimin e projektit të kolektorëve. Do të shemben të gjitha ndërtesat që pengojnë këtë projekt", - ka pohuar kryetari i Komunës së Velipojës, Pashko Ujka.
Sipas tij, plazhi i Velipojës do t'i nënshtrohet një ristrukturimi, me qëllim që sezoni i verës 2012 ta gjejë gati me ndryshime në shërbim të turizmit. Mes tyre, projekti më i rëndësishëm është ndërtimi i rrjetit të kanalizimeve i ujërave të zeza, projekt që është financuar nga Banka Botërore. Pronarët e objekteve që do prishen, shprehen se është e vërtetë se këto 20 vite të gjithë kanë ndërtuar pa leje në këtë plazh dhe kjo për faj të shtetit, por ka pasur prej tyre që më parë kanë studiuar masterplanin e miratuar nga KRRTSH në vitin 2004 e më pas kanë investuar ndërsa këto janë në proces legalizimi. “Kam ndërtuar në plazh pasi kam vërejtur më parë masterplanin. I kam paguar komunës detyrimet dhe tani thotë se duhet prishur ndërtimi. Kjo nuk është e drejtë”, - thotë Mark Preka, një nga pronarët e ndërtimeve në prishje. Preka gjithashtu denoncon se ka prishje selektive në bazë të preferencave politike dhe lidhjeve me drejtues të komunës.