E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Qeveria, mbështetje maksimale njësive vendore”

16-06-2012 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha pret në takim Presidentin e Kongresit Evropian të Autoriteteve Lokale Rajonale, Keith Whitemore
 
Kryeministri Berisha takoi dje Presidentin e Kongresit Evropian të Autoriteteve Lokale Rajonale, Keith Whitemore. Whitemore e siguroi Kryeministrin se ndodhet në këtë vizitë në Shqipëri për t’i shprehur Presidencës shqiptare të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës (KiE) dhe qeverisë shqiptare mbështetjen e Kongresit Evropian të Autoriteteve Lokale Rajonale për axhendën e saj gjatë kësaj periudhe gjashtëmujore, si dhe vullnetin e plotë të këtij institucioni për të vijuar bashkëpunimin e ngushtë dhe të suksesshëm me Shqipërinë.
Kryeministri Berisha e falënderoi Whitemore për fjalët vlerësuese dhe mbështetjen që Kongresi Evropian i Autoriteteve Lokale Rajonale po tregon për qeverinë shqiptare dhe presidencën shqiptare të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës. Kryeministri Berisha e vlerësoi marrjen e kësaj presidence si një ngjarje me rëndësi historike, e cila vjen me një domethënie shumë të madhe në vitin jubilar të 100 vjetorit të shpalljes së pavarësisë.
Më tej, Kryeministri Berisha e njohu Presidentin e Kongresit Evropian të Autoriteteve Lokale Rajonale, Whitemore, me zhvillimet dhe reformat e rëndësishme që qeveria shqiptare ka ndërmarrë në fushë e decentralizimeve dhe mbështetjen domethënëse që qeveria shqiptare i ka bërë qeverisjes lokale, përmes projekteve konkrete. Ai e siguroi atë për vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të vijuar këtë mbështetje të rëndësishme dhe ritheksoi, gjithashtu, nevojën që pushteti lokal të tregojë të njëjtën vendosmëri dhe eficencë, në veçanti për sa i përket kompetencës së tyre për të mbledhur detyrimet fiskale. 
Më tej, në takim Whitemore vlerësoi bashkëpunimin shumë të ngushtë që Kongresi Evropian i Autoriteteve Lokale Rajonale ka me Bashkinë e Tiranës dhe Kryetarin e saj Basha, duke përshëndetur marrjen nga ana a tij të kryesimit të Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë.
Poni - Whitmore: Shqipëria do përmbushë axhendën e saj të Presidencës së KiE/Zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Poni njohu gjerësisht Presidentin e Kongresit Evropian të Autoriteteve Lokale e Rajonale, Whitmore me angazhimet që ka ndërmarrë Shqipëria në kuadër të presidencës së Këshillit të Evropës, posaçërisht për forcimin e demokracisë vendore, rritjen e bashkëpunimit mes të gjitha niveleve të qeverisjes, nxitjen e pjesëmarrjes së qytetarëve në vendimmarrje etj.
“Modeli ynë i zhvillimit të qëndrueshëm tashmë është bërë mjaft atraktiv edhe për vendet fqinje me të cilat po bëjmë përpjekje për të ndërtuar një bashkëpunim sa më të frytshëm në kuadër të shkëmbimit të përvojave për mirëqeverisjen vendore. Ne synojmë të shkëmbejmë dhe të vëmë në funksion të zhvillimit të përbashkët me fqinjët, përvojën tonë më të mirë, praktikat tona më të mira dhe sukseset tona”,u shpreh zwvendwsministri Poni.
Zëvendësministri Poni theksoi në takim se Shqipëria është duke punuar me agresivitetin e nevojshëm pozitiv për të përmbushur përgjegjësitë dhe suksesin e nismave të parashikuara në axhendën e saj të Presidencës së Këshillit të Europës.
Presidenti i Kongresit Evropian të Autoriteteve Lokale e Rajonale Keith Whitmore vlerësoi arritjet e Shqipërisë në kuadër të forcimit të demokracisë vendore si dhe shprehu bindjen se presidenca e Shqipërisë do të rezultojë shumë pozitive bazuar në programin e saj që i përmbahet axhendës së Kievit, dhe entuaziazmin me të cilin po punohet për realizimin e tij Presidenti Whitmore shprehu gatishmërinë e plotë për të bashkëpunuar me presidencën shqiptare për të realizuar me sukses të gjitha veprimtaritë e parashikuara gjatë saj, e posaçërisht aktivitetet që do të zhvillohen gjatë javës evropiane të autonomisë vendore.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›